Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Veseli takoi ambasadorin e Letonisë, Sarkanis

E Premte, 23.01.2015




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot ka takuar ambasadorin jo rezident të Letonisë për Republikën e Kosovës, Alberts Sarkanis.
Kryetari Veseli dhe ambasadori Sarkanis diskutuan për bashkëpunimin e deritashëm të dy kuvendeve respektive, sidomos në fushën e integrimeve evropiane, si dhe prioritetet e presidencës së radhës të Letonisë në udhëheqje të BE-së, nga 1 janari 2015.
Ambasadori jorezident i Letonisë për Kosovën, z. Alberts Sarkanis, theksoi këndvështrimin e ri për fqinjësinë e BE-së, jo vetëm në lindje por dhe në jug të Evropës, rëndësinë strategjike të zgjerimit, për stabilitetin politik dhe perspektivën e Evropës në fushën e ekonomisë si prioriteti aktual i Presidencës së re të BE-së nën kryesimin e radhës së Letonisë.
"Presidenca e re e BE-së angazhohet për vazhdimin e negociatave me shtetet që aspirojnë Bashkimin Evropian bazuar në vlerat, të arriturat dhe meritat individuale të shteteve për përmbushjen e kritereve për anëtarësim", theksoi ambasadori jorezident i Letonisë për Kosovën, Alberts Sarkanis.
"Jemi të përkushtuar për avancimin e rrugës tonë drejt perspektivës evropiane, të përmbushjes së agjendës parlamentare në proceset integruese drejt BE-së, me vëmendje të veçantë përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës", theksoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Në takim u fol edhe për politikat e fqinjësisë së mirë, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, sigurinë dhe bashkëpunimin në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.