Lajmet e fundit
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli takoi ambasadoren e ShBA-së, Tracey Ann Jacobson
E Mërkure, 21.01.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracy Ann Jacobson.
Në takim, kryetari Veseli dhe ambasadorja Jacobson biseduan rreth agjendës legjislative për vitin 2015, nevojën e miratimit të ligjeve që përafrojnë Republikën e Kosovës me euro-integrimet, sigurinë, bashkëpunimin rajonal dhe nevojën e shtimit të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
Me këtë rast, z. Veseli vuri në pah kontributin e ShBA-së në proceset e ndjeshme dhe historike nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë gjatë shekullit të kaluar dhe po kalon aktualisht, duke shprehur mirënjohje të thellë për këtë angazhim.
Ambasadorja Jacobson përgëzoi z. Veseli për përkushtimin e tij në krye të Kuvendit që të realizojë agjendën legjislative, realizimin e prioriteteve kuvendore dhe rrugën e eurointegrimeve.
"Agjenda legjislative do të përshpejtohet, si nevojë për avancimin e Kosovës në rrugën e integrimeve euroatlantike. Në këtë drejtim, ndihma dhe përkrahja e miqve është e një rëndësie të veçantë dhe ne si Kuvend e mirëpresim atë", theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në takim me ambasadoren e ShBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.