Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli takoi përfaqësuesit e Forumit Kosovar të Personave me Aftësi të Kufizuar
E Mërkure, 21.01.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot takim me Forumin Kosovar për Personat me Atësi të Kufizuar, përkatësisht përfaqësuesit e tetë organizatave për personat me aftësi të kufizuara.
Kryetari Veseli u njoh me situatën e personave me aftësi të kufizuara dhe rolin e Forumit Kosovar në mbrojtjen e të drejtave të tyre, si dhe integrimin e tetë organizatave në Forum.
Kryetari i këtij Forumi, Bujar Kadriu, theksoi se Forumi vepron me unitet dhe iniciativa të ndryshme të tetë shoqatave që merren me persona me aftësi të kufizuara, e që tashmë janë bashkë në këtë Forum. Në mes çështjeve të pazgjidhura mbetet mungesa e dy ligjeve, punësimi, përkujdesja financiare për personat me aftësi të kufizuar dhe familjet e tyre, si dhe integrimi i plotë i tyre në shoqëri.
"Synimi i Forumit është të krijojë mirëqenie të mirë për të gjithë personat me aftësi të kufizuar", ka thënë me këtë rast Kadriu, duke theksuar mungesën e disa ligjeve, si dhe implementimin e ligjeve që prekin personat me aftësi të kufizuar dhe familjet e tyre.
Z. Veseli ka theksuar se personat me aftësi të kufizuar janë pjesë e barabartë e shoqërisë kosovare dhe, si të tillë, ata duhet të trajtohen në të gjitha fushat e jetës sociale.
"Ju ofroj mbështetje institucionale, duke ju përgëzuar për përkushtimin Tuaj. Do të kemi bashkëpunim në fushën e legjislacionit dhe ligjet që janë me interes për personat me aftësi të kufizuar me qëllim që të drejtat e pjesëtarëve të këtij komuniteti të realizohen dhe të avancohen", ka theksuar kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në takim me Forumin Kosovar për Personat me Aftësi të Kufizuar.
Në takim u tha se sipas parimit të OBSh-së, 10 deri 15 % e popullatës botërore rezulton me aftësi të kufizuar. Nga kjo rrjedhë se në Kosovë mund të jenë 170 mijë deri në 255 mijë persona më aftësi të kufizuar, ndërsa vetëm 17.000 qytetarë më aftësi të kufizuara, ndërmjet moshës 18 deri në 65 vjeç, gëzojnë të drejtën e pensionit.