Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Kadri Veseli takoi z. Andrew Russell, drejtues i UNDP-së në Kosovë
E Mërkure, 21.01.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në një takim z. Andrew Russell, koordinator për zhvillim i Kombeve të Bashkuara-UNDP dhe drejtues i kësaj organizate në Kosovë.
Në takim u fol për punën dhe përkushtimin e UNDP-së në Kosovë, që nga paslufta e këndej. Po ashtu u diskutua për sfidat e mijëvjeçarit, në veçanti për dialogun rreth objektivave të integrimit të Kosovës në BE, si dhe qeverisjes demokratike e efektive në Kosovë.
Prioritet strategjik i UNDP-së është mbështetja e institucioneve qendrore dhe lokale drejt përmirësimit të efikasitetit kundruall nevojave të qytetarëve, si dhe lufta kundër korrupsionit.
Z. Veseli theksoi se puna e Kuvendit është e përqendruar në prioritetet legjislative që afrojnë vendin tonë me eurointegrimet dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
"Përkundër të arriturave të vendit tonë, mbetet edhe shumë punë për të bërë në legjislativ, si dhe në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, posaçërisht punësimi i të rinjve. Sfidë mbetet gjendja ekonomike dhe investimet për krijimin e vendeve të reja të punës", theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Bashkëbiseduesit u dakorduan që të thellohet bashkëpunimi në mes të UNDP-së dhe Kuvendit, në veçanti për mbështetjen dhe kontributin e dyanshëm për zgjidhjen e sfidave globale të mijëvjeçarit.