Lajmet e fundit

Komisioni për Punë të Jashtme

E Mërkure, 21.01.2015




Komisioni për Punë të Jashtme, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i komisionit, ka shqyrtuar Draft-planin dhe programin e punës së Komisionit për vitin 2015.
Gjatë debatit, anëtarët e komisionit u angazhuan që Plani i Punës të plotësohet edhe më tej, duke përfshirë të gjitha aktivitetet që i përkasin fushëveprimtarisë së komisionit. Me këtë rast, komisioni u pajtua që në planin e punës të përfshihet edhe Strategjia për bashkëpunim ndër-parlamentar si, dhe Strategjia për anëtarësimin e vendit në mekanizmat ndërkombëtar.
Në fund të debatit lidhur me këtë pikë të rendit të ditës, komisioni miratoi në parim Draft-planin dhe programin e punës së Komisionit për vitin 2015, duke përfshirë në të edhe propozimet e dala nga mbledhja e sotme.
Në vijim të mbledhjes, komisioni diskutoi edhe për formimin e grupeve të miqësisë. Lidhur me këtë, anëtarët e komisionit vlerësuan se formimi i këtyre grupeve është me rëndësi të veçantë për vendin, ndërkaq u shprehën të përkushtuar për formimin e një strategjie për formimin dhe jetësimin e angazhimeve në kuadër të tyre.
Në fund të mbledhjes së sotme, sipas kërkesës së deputetes, Puhie Demaku dhe deputetëve, Ramush Haradinaj e Zafir Berisha, u vendos që ditëve në vijim, në komision të ftohet ministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi. Me këtë rast, ministri Thaçi, pritet të raportojë për prioritet e kësaj ministrie, si dhe për emigrimin e qytetarëve, që aktualisht është duke ndodhur .