Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim,Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport
E Mërkure, 21.01.2015
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, kryesuar nga Nait Hasani, kryetar, në të cilën ishte ftuar zëvendëskryeministri dhe ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, temë e diskutimit ishin prioritetet dhe sfidat e kësaj ministrie. Duke i bërë një vështrim këtyre prioriteteve, z. Kujtim Shala, në fillim theksoi se Ministria e Kulturës , Rinisë dhe Sportit do të rrisë në vijimësi buxhetin për institucionet publike të kulturës dhe sportit ,si: Bibliotekën Kombëtare, Teatrin Kombëtar, Qendrën Kinematografike të Kosovës, Filharmoninë e Kosovës, Baletin e Kosovës, ansamblin "Shota etj. Për të përmbushur këto qëllime, tha ai, kanë nisur edhe procedurat për krijimin e kodeve buxhetore të institucionaleve nacionale. Ministria do t' i kushtojë një rëndësi të veçantë edhe mbështetjes së botuesve të librit, teatrove dhe bibliotekave të qyteteve.
Prioritet i Ministrisë, tha në vijim ministri Shala, do të jetë hartimi i ligjeve të fushave përkatëse, e mbi këtë bazë edhe hartimi dhe miratimi i Strategjisë për Kulturën, pastaj Strategjisë për Trashëgiminë Kulturore , Ligji për sponzorime dhe donacione, Ligji për Trashëgiminë, pastaj i dokumenteve të rëndësishme që mundësojnë zhvillimin e jetës kulturore në vend dhe prezantimin veprimtarive në suaza ndërkombëtare, si dhe ngritja e objekteve nga lëmi i kulturës dhe sportit.
Duke i bërë një vështrim më shkoqitës ndërtimit të objekteve të institucioneve kulturore e sportive, z. Shala në vijim tha se pas problemeve në projektin e mëhershëm të teatrit të operas dhe baletit "Ibrahim Rugova", Qeveria e Republikës së Kosovës do të shpallë konkurs të ri ndërkombëtar për projektimin dhe më pas ndërtimin e saj. Kjo ministri e ka të gatshëm edhe projektin për ndërtimin e Muzeut të Arteve Bashkëkohore, në Prishtinë, pastaj rinovimin e Teatrit Kombëtar, të Bibliotekës Kombëtare, si dhe të objekteve kulturore në disa qendra komunale. Ndërkaq, miratimi i Ligjit për Muzetë do të krijojë bazë edhe për themelimin e muzeve të tjerë. Një objektiv i rëndësishëm i Qeverisë do të jetë edhe subvencionimi i punës së organizatave të të rinjve, përkatësisht veprimtarive të tyre. Një vëmendje e veçantë do t' i kushtohet edhe ndërtimit të infrastrukturës sportive, sidomos të atyre që do të krijojnë kushte për gara ndërkombëtare, siç do të jenë stadiumet në Prishtinë dhe Mitrovicë. Në kuadër të përgatitjeve për ndërtimin e stadiumit nacional të Futbollit në Prishtinë, tashmë në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës kanë filluar procedurat për ndarjen e lokacionit. Është në plan edhe ndërtimi i Pallatit Olimpik, në të cilin do të ketë selinë Komiteti Olimpik i Kosovës , Komiteti Paraolimpik, si dhe 30 federata. Po kështu, parashihet edhe ndërtimi i disa palestrave sportive në disa qendra komunale, si dhe i stadiumeve ndihmëse. Pranimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar do të zgjerojë mundësitë për sportistët kosovarë, theksoi z.Shala.
Përkitazi me këto synime trimëruese në lëmin e kulturës dhe sportit, u zhvillua debat edhe nga ana e deputetëve , të cilët përkrahën dhe njëkohësisht u angazhuan për sendërtimin e planeve të rinovimit dhe ngritjes së këtyre objekteve, të cilat do të krijojnë kushte për zhvillimin më të hovshëm të këtyre veprimtarive edhe në relacione ndërkombëtare.