Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Mërkure, 21.01.2015
Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë plenare, të premten, më 23 janar, në orën 10:00, gjatë të cilës do të shqyrtohen për herë të parë katër projektligje dhe do të zhvillohet një debat parlamentar.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli.
Pas shterimit të pikave të zakonshme, deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të shqyrtojë për herë të parë këto projekligje: Projektligjin për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura, Projektligjin për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës ose të panelit për lirim me kusht, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/l-051 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik dhe atë për përgjimin e komunikimeve elektronike.
Kryesia u pajtua që po në këtë seancë, të zhvillohet edhe debati parlamentar lidhur me migrimin ilegal të qytetarëve të Republikës së Kosovës, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të AAK-së dhe të deputetëve të tjerë nënshkrues.
Kryesia miratoi, gjithashtu, edhe kërkesën e ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, për realizimin e përfitimeve të ish-zyrtarit të lartë, sipas ligjit.