Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

E Marte, 20.01.2015




Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja e komisionit, Teuta Sahatqija, u shqyrtua në parim Projektligji nr. 05/L-05 për përgjimin e komunikimeve elektronike.

Anëtarët e komisionit njëzëri kundërshtuan projektligjin, duke paraqitur rekomandime të shumta. Ata theksuan faktin se ky Projektligj është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, Kodin Penal Procedural dhe ligjet tjera në fuqi, prandaj kërkuan që t'i kthehet qeverisë.

Anëtari i Komisionit, Xhavit Haliti, tha se në këtë ligj duhet të përcaktohet saktë fakti se kush dhe kur mund ta urdhërojë përgjimin. Ai shtoi se urdhëri për përgjim duhet të bëhet konform kërkesës nga prokurori.
"I përgjuari duhet të njoftohet pasi të jetë kryer përgjimi dhe dosja e përgjimit duhet t'i dorëzohet atij ose të asgjësohet nga organi përkatës me kërkesë të të përgjuarit. Në këtë ligj duhet të theksohet se kur dhe në çfarë rrethanash mund të përgjohet deputeti, kryeministri, ministri, apo presidenti, si dhe cili institucion duhet ta vendosë këtë çështje", tha mes tjerash Haliti, duke shtuar se duhet të ketë mekanizëm të sigurisë së lartë që konstaton se kush duhet përgjuar.
Ndërkaq, anëtari i Komisionit, Ilir Deda, duke kërkuar që ky ligj t'i kthehet qeverisë tha se projektligji është në shpërputhje të plotë me aqui comunitare dhe shkel
Konventën për të Drejtat e Njeriut dhe rrjedhimisht e shkel Kushtetutën e Kosovës. "Janë disa nene të papranueshme dhe ky ligj duhet menjëherë të kthehet prapa", tha Deda.

Tutje, foli edhe anëtarja e komisionit Vjosa Osmani. Ajo vlerësoi se ndryshimet në këtë projektligj do të jenë më shumë se 50 për qind dhe sipas saj, në rast se ndryshohet mbi 50 për qind, atëherë ligji konsiderohet ligj i ri.
"Mospërputhshmëritë janë të mëdha. Brengë kryesore është mospërcaktimi i saktë i institucioneve që kanë të drejtë ta bëjnë përgjimin. Asnjë ligj nuk mund të procedohet nëse i nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe direktivën evropiane", tha Osmani.

Rrustem Mustafa, tha se meqë janë marrë pjesë nga një sërë ligjesh, atëherë ky projektligj është degraduar. "Nëse fillojmë ta amendamentojmë, është mjaft e vështire ta sjellim aty ku duhet. Projektligji duhet të kthehet në qeveri me rekomandime tona, ngase nuk mund t'i kemi tri ligje si model, sepse humb kuptimi.", tha Mustafa.

Arben Gashi, në diskutimin e tij, vlerësoi se në Kosovë ka përgjime të cilat janë bërë në mënyrë ilegale, gjysmë legale dhe legale. Sipas tij, kjo fushë duhet të rregullohet, por në mënyrën se si është sjellë ky ligj nuk ka mundësi të rregullohet kjo fushë.
"Ligji ka probleme të mëdha, duke filluar nga konflikti me ligjet tjera dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Kodin e procedurës penale, Kodin Penal, Mbrojtjen e të Dhënave personale, etj.", tha Gashi, duke shtuar se duhet rekomanduar seancës që t'i kthehet qeverisë.

Zëvendëskryetarja e parë e komisionit. Valdete Bajrami, tha mes tjerash se me vërejtjet që u dhanë gjatë kësaj mbledhje, ky projektligj duhet t'i kthehet qeverisë, duke vlerësuar se ai ka një sërë mangësish.

Edhe Blerim Shala vlerësoi se ky projektligj është i domosdoshëm për Kosovën, por është e domosdoshme që të pësojë ndryshime dhe qartësime thelbësore. "Çdo paqartësi lë hapësirë të keqinterpretimit apo keqpërdorimit, andaj duhet t'i kthehet qeverisë.", tha Shala.
Kujtim Paqaku tha se projektligji është i padefinuar mirë dhe duhet të kthehet tek sponzorizuesi. Ndërsa, zëvendëskryetari i dytë i komisionit Sllobodan Petroviq, tha se ky ligj duhet të jetë në interes të mbrojtjes të qytetarëve, meqë ndërlidhet me privatësinë e tyre. "Ligji të kthehet për rihartim në qeveri", tha Petroviq.

Kryetarja e Komisionit, Teuta Sahatqija tha se ky ligj i duhet Kosovës, meqë kanë qenë të keqpërdorura mundësitë e përgjimit për shkak të mungesës së legjislacionit. "Shpresojmë të rregullohet kjo fushë në afatin sa më të shpejtë, në mënyrë që të ndalen keqpërdorimet.", tha Sahatqija

Pas diskutimeve Komisioni në mënyrë unanime votoi që Projektligji t'i kthehet qeverisë.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane