Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Bujqësi...

E Marte, 20.01.2015




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Fikrim Damka, shqyrtoi shkresën e sekretarisë së Kuvendit rreth inicimit të procedurës për përzgjedhjen e kandidatit për kryesues të Komisionit Shqyrtues në Zyrën e Rregullatorit për Ujësjellës dhe Kanalizim.

Ndonëse mandati i kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Zyrës së Rregullatorit për Ujësjellës dhe Kanalizim (ZRRU) ka kaluar më 15. 06. 2014, komisioni vendosi që zgjedhja e kryesuesit të ri të bëhet pasi që të miratohet Ligji për veprimtaritë e ofruesve të shërbimeve të ujësjellësit, ujërave të ndotura dhe të furnizueseve të ujit me shumicë.

Me vendimin e komisionit nuk u pajtua drejtori i ZRRU-së, Raif Preteni, i cili tha se përzgjedhja e kryesuesit të Komisionit të ZRRU-së është çështje e rëndësisë së veçantë për këtë zyre. Ai vlerësoi se përzgjedhja sa më e shpejtë e kryesuesit të kësaj zyreje ndikon në mbarëvajtjen e veprimtarisë së ZRRU-së.

Shqetësimit të tij, ndërkaq, iu përgjigjën anëtarët e komisionit, të cilët vlerësuan se përzgjedhja e kryesuesit të Komisionit të Zyrës së ZRRU-së, sipas ligjit të ri do të jetë më transparente dhe adekuate.

Në këtë mbledhje, komisioni formoi edhe grupin punues për amenadamentimin dhe procedimin e Projektligjit për veprimtaritë e ofruesve të shërbimeve të ujësjellësit, ujërave të ndotura dhe të furnizuesve të ujit me shumicë.

Ky projektligj është në procedurën e miratimit nga legjislatura e kaluar e Kuvendit, ndërsa pritet të aprovohet në mënyrë të përshpejtuar, si nevojë e përzgjedhjes sa më të shpejtë të kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të ZRRU-së.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Bujqësi...