Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit
E Marte, 20.01.2015
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, të kryesuar nga Albulena Haxhiu, kryetare e komisionit, në mbledhjen e sotme diskutoi lidhur me zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Kjo çështje ka ngjallur një diskutim të gjerë mes anëtarëve të komisionit lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve, madje kryetarja e komisionit kërkoi që përzgjedhja e këtyre anëtarëve të bëhet përmes konkurseve publike. Me këtë rast, u kërkua që kjo çështje të diskutohet në mbledhjen e radhës dhe të jetë si pikë e veçantë e rendit të ditës. Ndërkaq, u përkrah propozimi që për këtë çështje të ftohet në raportim kryesuesi i KGJK-së, Enver Peci.
Pasi anëtarët e komisionit u njoftuan edhe me një sërë kërkesash nga institucione të ndryshme të vendit, ata diskutuan edhe lidhur me kërkesën e organizatës "Çohu", që ka të bëjë me çështjen e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të Agjensisë Antikorrupsion. Kjo organizatë kishte kërkuar që ky deklarim të bëhet nga Komisioni për Legjislacion.
Po ashtu, anëtarë të komisionit shqyrtuan dhe përkrahën në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/L-051 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, si dhe Projektligjin për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës ose të panelit për lirim me kusht.