Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
E Marte, 20.01.2015
Shqyrtimi i draft-planit të punës së Komisionit, për vitin 2015, ishte temë thelbësore e mbledhjes së sotme të Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, të kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit. Si në fjalën hyrëse të z. Pajaziti, ashtu edhe në diskutimet e anëtarëve të Komisionit, vëmendja u përqendrua në ravijëzimin e një plani sa më konkret të punës, në segmentet bosht që monitoron ky Komision. Në këtë frymë, u përcaktuan disa afate sa më të afërta për shqyrtimin e strategjisë së digjitalizimit, si dhe gjendjes në RTK dhe në KPM etj. Përkitazi me këtë, u tha se është e nevojshme që të dihet sa më në detaje çështja e shpenzimeve të buxhetit në RTK, e jo vetëm totali i buxhetit. Gjatë mbledhjes u bë edhe një plan i përafërt i takimeve ose dëgjimeve publike me udhëheqjet e këtyre dy institucioneve, por edhe i takimeve me ministritë përkatëse që kanë të bëjnë më fushë-veprimtarinë e këtij Komisioni. Në këtë vështrim u theksua se është e nevojshme që të shikohen edhe reformat në administratë, si në nivel vendi, ashtu edhe në atë lokal.