Lajmet e fundit
Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit
E Hënë, 19.01.2015
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, u shqyrtua për herë të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-035 për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre.
Fillimisht, kreu i Kuvendit, z. Veseli, sqaroi se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit mbahet pas kërkesës së kryeministrit dhe se për propozimin për shqyrtim të këtij projektligji e ka vendosur edhe Kryesia e Kuvendit në një mbledhje të përbashkët gjatë ditës së sotme me kryetarët e grupeve parlamentare, duke sqaruar më tej edhe bazën kushtetuese.
Ndërkaq, ai sqaroi se para fillimit të shqyrtimit të këtij projektligji, Kuvendi duhet të vendosë për shmangie nga rregullorja.
Me këtë rast, kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Muhamet Mustafa, sqaroi se ky komision ka shqyrtuar sot këtë projektligj dhe se është dakorduar që projektligji të bëhet me procedurë të përshpejtuar me shmangie nga Rregullorja e Kuvendit.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, kryetari i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, si dhe Sasha Milosavjleviq nga Lista serbe, gjatë deklarimit të tyre për këtë çështje mbështetën këtë propozim. Ndërkaq, kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, kryetarja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj, si dhe Jakup Krasniqi, kryetar i Grupit Parlamentar Nisma, shfaqën votën e tyre kundër këtij propozimi.
"Vetëvendosje" është kundër këtij propozimi, sepse ne insistojmë që të vazhdojmë me rrugën siç jemi marrë vesh javën e kaluar, për shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike dhe tani kemi ndryshim rrënjësor drastik, i cili po e shëndrron shtetin tonë në një lloj skizofrenie dhe se kjo mënyrë e procedimit ka ardhur pas ndërhyrjeve, kërcënimeve dhe trysnive nga qeveria e Beogradit", tha Visar Ymeri.
Ndërsa, Donika Kadaj tha se AAK-ja do të votojë kundër këtij propozimi. "Seancën e Kuvendit e shtyn Vuçiqi dhe po shihet që dobësia e kryeministrit po e sjell situatën që vendimi i Kuvendit të merret në Beograd. Me këto ndryshime që i ka sjellë sot qeveria Mustafa, nuk është vetëm shtyrje e një afati kohor për riorganizim, por ka nene kontestuese. Ky dokument që është sjellë është një mashtrim", theksoi Kadaj, duke shtuar se të vetmin dokument që e voton AAK-ja është plotësim-ndryshimi i Ligjit për ndërmarrjet publike.
Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Jakup Krasniqi, tha se votat e kësaj partie do të jenë kundër këtij propozimi. " Mënyra se si i drejtoheni këtij vendi duke e ditur gjendjen ekonomike të tij , rëndësinë e "Trepçës" dhe se si menaxhohet pasuria kombëtare, tregon se ose jeni të frikësuar nga dikush apo jeni të shantazhuar , por vendi në këtë mënyrë nuk mund dhe nuk duhet të qeveriset. Në Kuvend, qeveria duhet të sjellë një raport për gjendjen e kësaj ndërmarrje, të na komentoj se cila është zgjidhja më e mirë për "Trepçën", e jo kështu me nguti. Duhet të na tregoni pse "Trepça" nuk mund të bëhet ndërmarrje publike. Ky vendim për kryepasurinë e Kosovës do t'u kushtojë brezave të këtij vendit. Ne do të jemi kundër dhe nuk do t'i nënshtrohemi diktatit të pakicës.",tha Krasniqi, duke kërkuar nga Qeveria që ta tërheqë këtë projektligj.
Për shmangie nga Rregullorja e Kuvendit lidhur me afatet kohore për shqyrtimin në parim të këtij projektligji, sipas propozimit të komisionit funksional, nga 109 deputetë sa ishin të pranishëm në sallë, 76 votuan për, ndërsa ishte një abstenim. Ndërkaq, deputetë nga radhët e opozitës lëshuan sallën.
Tutje, Kuvendi vazhdoi me shqyrtimin në parim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-035 për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre.
Me këtë rast, kryeministri Mustafa duke arsyetuar dhe prezantuar këtë projektligj tha se qëllimi i këtij ligji është që të krijojë kushte në mënyrë që "Trepça" të punojë në mënyrë normale dhe në mënyrë që të përgatitet plani organizativ i "Trepçës" dhe se kjo duhet të bëhet me një ligj të veçantë. Kryeministri Mustafa tha se në këtë projektligj është bërë përpjekje që të krijohen parakushte dhe që të parandalohet procesi i likuidimit të "Trepçës". Ai vlerësoi se me këtë projektligj nuk po tradhtohet kjo ndërmarrje, por po zgjidhet problemi aktual i saj. "Kjo e pamundëson që "Trepça" të shkojë në procesin e falimentimit", tha kryeministri Mustafa.
Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Muhamet Mustafa, tha se ky komision ka mbështetur këtë projektligj, ndërkaq duke folur edhe në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së tha se LDK-ja përkrah raportin e komisionit duke konsideruar se me këtë projektligj tejkalohet rreziku potencial i hyrjes së Trepçës në procedurë të falimentimit. Ndërsa, Besim Beqaj, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së tha se ky projektligj ka të vetmin qëllim, parandalimin e likuidimit të "Trepçës", ndërsa ftoi deputetët që të votojnë pro kësaj çështjeje.
Më tej, deputetët votuan edhe për shqyrtimin e këtij projektligji nëpër komisionet parlamentare , si dhe për shqyrtimin në lexim të dytë në Kuvend, gjatë ditës së sotme.
Pas diskutimit të deputetëve: Bekim Haxhiu, Fatmir Rexhepi, Margarita Kadriu-Ukelli, Ramiz Kelmendi, Sadri Ferati dhe Shaip Muja, foli edhe nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti.
Hamiti tha se vendimi i 9 janarit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Speciale, e ka vënë ashiqare në urgjencë qeverinë në disa veprime dhe në panikë. Ai tha se Qeveria ka reaguar shpejt që ky kufi i rrezikshëm i një vendimi të gjykatës, duhet të shtyhet, në mënyrë që të mos krijohet mundësia e likuidimit të "Trepçës". Mes tjerash Hamiti tha se pasuria nacionale e Kosovës duhet të garantohet me ligj, ndërkaq kërkoi që qeveria të jetë e përgjegjshme.
Sqarime lidhur me disa çështje që u ngritën gjatë kësaj mbledhje nga nënkryetari Hamiti, dha edhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Me 64 vota për, 4 vota kundër dhe dy abstenime, Kuvendi përkrahu në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-035 për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre.
Ndërkaq, mbledhja e Kuvendit për shqyrtim në lexim të dytë për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-035 për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre,
do të mbahet sonte, duke filluar nga ora 20:00.