Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Hënë, 19.01.2015
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, i Kuvendit të Kosovës, në një mbledhje të mbajtur sot, shqyrtoi në parim Projektligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre.
Kryetari i komisionit, Muhamet Mustafa, falënderoi Qeverinë për procedimin e shpejtë të projektligjit, ndërsa u bëri thirrje anëtarëve të komisionit që ta mbështesin atë.
Edhe ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Blerand Stavileci, gjatë prezantimit të këtij projektligji vuri në pah rëndësinë e miratimit të tij. Ai tha se me këtë projektligj evitohet rreziku për likuidim i ndërmarrjes "Trepça", i cili sipas vendimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, mund të ndodhë pas datës 2 shkurt.
Pas debatit lidhur me këtë projektligj, anëtarët e komisionit me shumicë votash e përkrahën në parim atë.