Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Musa Xhaferin
E Hënë, 19.01.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, sot ka takuar zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferin. Takimi u përqendrua në raportet shumë të mira në mes të dy vendeve fqinje. Në takim u fol po ashtu për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe fushave tjera me interes të përbashkët.
Z. Veseli e falënderoi z. Xhaferi për angazhimet ndërshtetërore, duke ditur se rruga e dy vendeve tona, Kosovës dhe Maqedonisë, lëviz drejt të njëjtit cak, eurointegrimeve, që në rend të parë nënkupton edhe vlerat, si: mirëqenia e qytetarëve, stabiliteti politik dhe vlerat demokratike.
Me këtë rast, z. Xhaferi vuri në dukje se ka përkushtim për realizimin e agjendës së dy vendeve respektive, duke filluar nga bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësor, që nënkupton frymën e bashkëpunimit politik dhe ekonomik si vlera që aspirojmë, drejt integrimeve euroatlantike.
"Bashkëpunimi regjional, me theks të veçantë bashkëpunimin ekonomik, mbetet prioritet për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe vendeve tona, duke ditur edhe mundësitë e pranisë së produkteve kosovare në Maqedoni. Rruga e përbashkët e eurointegrimeve, është rrugë e mirëkuptimit, paqes, stabilitetit dhe mirëqenies së qytetarëve të dy vendeve tona", theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Bashkëbiseduesit u pajtuan sa ka mundësi të reja për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës e Maqedonisë, në veçanti në fushën e legjislativit, por edhe në fushat tjera me interes për të dyja vendet.