Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Premte, 16.01.2015




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Muhamet Mustafa, shqyrtoi në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike.

Kryetari i komisionit, Mustafa, fillimisht falënderoi Qeverinë dhe Kryesinë e Kuvendit, për procedimin e shpejtë të projektligjit. Ai tha se projektligji do të ndikojë që të ruajë ndërmarrjen "Trepça" nga likuidimi, ndërsa u shpreh i bindur se me miratimin e tij në Kuvend, kjo ndërmarrje do të vendoset në binarë të zhvillimit të mirëfilltë.

Edhe ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Blerand Stavileci, gjatë prezantimit të këtij projektligji vuri në pah rëndësinë e miratimit të tij, ndërsa vlerësoi se është rruga e vetme për të evituar dëmet që mund të sjellë vendimi për likuidim, i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, lidhur me ndërmarrjen "Trepça".

Anëtarët e komisionit, ndërkaq, vlerësuan se projektligji duhet të përkrahet, por që gjatë procesit të amendamentimit të kihet parasysh, që kësaj ndërmarrjeje t'i sigurohet zhvillim i mirëfilltë dhe afatgjatë.

Në fund të debatit, anëtarët e komisionit, përpos deputetit, Sasha Milosavleviq, u deklaruan në favor të projektligjit.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...