Lajmet e fundit
Kryetari Veseli priti në takim drejtoren e UNICEF-it në Kosovë, Laila Omar Gad
E Premte, 16.01.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti në takim Laila Omar Gad, drejtuesen e UNICEF-it në Kosovë. Me këtë rast, z Veseli u informua nga znj. Omar Gad për aktivitet e kësaj organizate, e cila iu gjend pranë qytetarëve të Kosovës, në fazat më të rëndësishme të saj. Ai, ndërkaq, e informoi mysafiren për agjendën legjislative dhe prioritetet e Kuvendit.
Kryeparlamentari Veseli theksoi se Kosova po ecën drejt rrugës së integrimeve euro-atlantike dhe vlerave perëndimore, që në mënyrë të pashmangshme sjell paqe e përparim për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në veçanti për fëmijët pa dallim etniteti. Andaj misioni fisnik i kësaj organizate ka gjetur mbështetje dhe përkrahje të plotë në çdo pjesë të vendit tonë.
Në diskutim u trajtuan edhe çështjet që lidhen me mirëqenien e komuniteteve në Kosovë, dialogun rajonal dhe bashkëpunimin institucional.
UNICEF-i ka qenë i pranishëm në Kosovë gjatë dekadës së fundit, gjithmonë i gatshëm për të mbështetur shërbimet bazë për fëmijët në nevojë, po ashtu ka ndihmuar lehtësimin e dialogut mes pushtetit vendor, komunitetit të donatorëve dhe të shoqërisë civile, në mënyrë që fëmijët të jenë pjesë e agjendës zhvillimore për Kosovën, theksoi mes tjerash Laila Omar Gad, drejtuese e UNICEF-it për Kosovë.
Kryetari Veseli e falënderoi znj. Omar-Gad për angazhimin e vazhdueshëm në fushën e të drejtave të fëmijëve, duke theksuar se fëmijët dhe të rinjtë tanë nuk janë vetëm e ardhmja, por edhe e tashmja e vendit tonë dhe shprehu gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit me interes të dyanshëm.