Lajmet e fundit

Kryetari Veseli takoi ambasadorin e Austrisë, z. Brieger

E Premte, 16.01.2015




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, sot ka takuar ambasadorin e Republikës Federale të Austrisë, dr. Johan Brieger. Bashkëbiseduesit diskutuan për raportet e shkëlqyera në mes të Kosovës dhe Austrisë, duke rikonfirmuar se këto marrëdhënie mund të zgjerohen dhe thellohen me interes të përbashkët.


Z. Veseli e falënderoi ambasadorin Brieger për angazhimin e tij dhe Austrisë për bashkëpunimin në fushën e legjislacionit. Me këtë rast, kryetari Veseli veçoi rëndësinë e kontributit të Austrisë në proceset nëpër të cilat ka kaluar vendi, mbështetjen e këtij vendi mik në proceset eurointegruese dhe zhvillimin ekonomik.


Kryeparlamentari dhe ambasadori diskutuan edhe për zhvillimet në Kuvend, duke u fokusuar në prioritetet e Kuvendit gjatë vitit 2015, marrëdhëniet fqinjësore dhe rajonale dhe dialogun Kosovë-Serbi.


Ambasadori Brieger mbështet plotësisht normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në Ballkan, duke u fokusuar në përmirësimin e mirëqenies ekonomike, nevojën e krijimit të vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve në Kosovë dhe rajon.


Mbështetja e vazhdueshme e Austrisë për Kosovën dhe qytetarët e saj për proceset aktuale dhe integruese, ka rëndësi të veçantë për qytetarët e Kosovës, andaj mirëpritet thellimi i bashkëpunimit. Bashkëpunimi në mes të dy kuvendeve tona, grupeve dhe komisioneve parlamentare, në veçanti për fushat që kanë të bëjnë me rritjen e mirëqenies ekonomike dhe investimet do të ishin me interes të vendeve dhe qytetarëve tanë, theksoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.


Bashkëbiseduesit u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Austri në fushën e legjislativit dhe fushat tjera me interes për të dy vendet mike.

 

 

 Kryetari Veseli takoi ambasadorin e Austrisë, z. Brieger Kryetari Veseli takoi ambasadorin e Austrisë, z. Brieger