Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Veseli vizitoi Prizrenin

E Enjte, 15.01.2015




Në kuadër të bashkëpunimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës me kuvendet komunale dhe të komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, i shoqëruar nga deputetët: Emilija Rexhepi, Kujtim Paçaku dhe Luljeta Veselaj-Gutaj, ka vizituar sot qytetin e Prizrenit.

Gjatë kësaj vizite, kryetari Veseli u takua me strukturat udhëheqëse komunale në Prizren, me këshilltarët komunalë, qytetarët, shoqërinë civile dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare në këtë komunë. Në këto takime u bisedua lidhur me zhvillimet aktuale politike në vend, për objektivat e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe për çështje të tjera që preokupojnë qytetarët e këtij lokaliteti.

Fillimisht, kryetari Veseli u prit nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe drejtuesit e tjerë komunalë, të cilët çmuan lart iniciativën e kryeparlamentarit për t'u njohur nga afër me problematikat, me të cilat përballen strukturat komunale dhe qytetarët.

Gjatë takimit me këshilltarët komunalë dhe qytetarët që kishin mbushur sallën e Kuvendit Komunal të Prizrenit, kryetari Ramadan Muja, tha se Komuna e Prizrenit dhe qytetarët që ajo përfaqëson, ndihen të nderuar që kreu i Kuvendit të Kosovës ka përzgjedhur pikërisht qytetin e lashtë dhe historik të tyre, për të realizuar vizitën e tij të parë.

Në adresimin e tij para këshilltarëve komunalë dhe qytetarëve, kryeparlamentari Veseli, pasi shprehu kënaqësinë që gjendet në qytetin historik të Prizrenit, tha se vizitat si kjo, janë tregues i interesimit dhe përgjegjësisë që deputetët dhe drejtuesit institucionalë kanë kundruall qytetarëve. Duke folur për virtytet që përfaqësojnë Prizrenin dhe qytetarët e tij, kryeparlamentari Veseli tha se ky qytet, ka premisa që së shpejti të bëhet edhe qyteti më i zhvilluar ekonomikisht i Kosovës.

Në vazhdim, kreu i Kuvendit të Kosovës bëri një rezyme të rrugëtimit 16-vjeçar të Kosovës, që nga çlirimi i saj, duke u ndalur në arritjet e saj shtetformuese, zhvillimin e demokracisë dhe krijimin e partneritetit regjional e ndërkombëtar, si meritë e të gjithë klasës politike të Kosovës, përkatësisht, qytetarëve të saj.
Kryetari Veseli foli edhe për zhvillimet politike të muajve të fundit, duke vlerësuar lart procesin zgjedhor të qershorit të vitit të kaluar dhe në mënyrë të veçantë, qytetarët, të cilët, siç u shpreh kryeparlamentari, dëshmuan dinjitet në muajt pasues, duke ruajtur stabilitetin e vendit, pavarësisht mungesës gjashtëmujore të institucioneve.

Kryeparlamentari Veseli u ndal edhe në objektivat e Kuvendit të Kosovës, duke e konsideruar atë vend ku merren vendimet më të rëndësishme për jetën e qytetarëve.

"Për Kuvendin, secili prioritet i Komunës së Prizrenit, i cili do të përcillet nëpërmjet rregullativës institucionale, besoj se do të jetë prioritet edhe i të gjithë deputetëve, për faktin se ndjenja jonë është e veçantë për Komunën e Prizrenit", theksoi kryetari Veseli.

Në vazhdim, asamblistë dhe qytetarë të Prizrenit, duke shprehur vlerësime të larta për vizitën e kryetarit të Kuvendit në qytetin e tyre, adresuan një varg pyetjesh, të cilat kishin të bënin me çështje që preokupojnë të gjithë qytetarët e vendit. Duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me perspektivën ekonomike të vendit dhe mundësitë parandaluese të largimit të qytetarëve nga vendi, kryetari Veseli potencoi angazhimin e institucioneve për ta bërë Kosovën një vend sa më atraktiv për investime, duke i hapur kështu rrugë një zhvillimi më të hovshëm ekonomik dhe duke rritur perspektivën për qytetarët. Kreu i Kuvendit tha se rinia është një aset i rëndësishëm i Kosovës dhe ajo duhet të kthehet në një fuqi të zhvillimit të gjithmbarshëm të saj.

Agjenda e kryetarit të Kuvendit të Kosovës në Prizren vijoi me takimin me përfaqësuesit e komuniteteve fetare: Orhan Bislimaj nga Bashkësia Islame në Prizren, Don Shan Zefi, nga Bashkësia Katolike dhe Sheh Abedini nga komuniteti Bektashi.

Përfaqësuesit e komuniteteve fetare theksuan tolerancën fetare që karakterizon jo vetëm qytetarët e Prizrenit, por të gjithë shqiptarët, duke u bërë kështu shembull i bashkëjetesës ndërmjet konfesioneve.

Kryeparlamentari Veseli shtroi nevojën e ruajtjes dhe promovimit të mëtejmë të kësaj tolerance, të cilën e cilësoi pasuri dhe vlerë për të gjithë qytetarët.

Vizita e kryeparlamentarit Veseli në qytetin e Prizrenit u përmbyll me adresimin para gazetarëve. Kryetari i Kuvendit tha se kjo vizitë realizohet në kuadër të obligimeve institucionale dhe nënkupton kthim në bazën ku jepet përfaqësimi qytetar.

"Ky do të jetë edhe një mesazh se ne do të vazhdojmë që punën e Kuvendit ta bartim te qytetarët tanë, jo vetëm në Komunën e Prizrenit, por në të gjitha komunat anë e kënd Kosovës, në të cilat unë dhe deputetët e Kuvendit, do të jemi bashkërisht, në mënyrë që edhe qytetarët t'i shprehin vërejtjet, brengat, por edhe idetë e tyre", tha ndër të tjera kryetari Veseli.

 

 

Kryeparlamentari Veseli vizitoi PrizreninKryeparlamentari Veseli vizitoi PrizreninKryeparlamentari Veseli vizitoi PrizreninKryeparlamentari Veseli vizitoi Prizrenin