Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli bëri homazhe në Kompleksin Përkujtimor Masakra e Reçakut
E Enjte, 15.01.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë sot homazhe në Kompleksin Përkujtimor "Masakra e Reçakut" , në 16-vjetorin e masakrës ndaj banorëve të fshatit Reçak.
Duke shprehur pietet për viktimat e kësaj masakre, kryeparlamentari Veseli theksoi:
" Jemi sot këtu, 16 vjet më pas, në Reçakun legjendar, në njërën prej shenjave të lirisë, para të cilave përkulemi të gjithë.
Është dhembje e madhe njerëzore. Në të njëjtën kohë është edhe qëndresë e madhe nacionale.
Kjo ngjarje ka qenë pikë e kthesës kulmore në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në luftën e popullit të Kosovës për liri e pavarësi.
Ne duhet të përulemi para martirëve të lirisë.
Duhet t'i kujtojmë ata me veprat tona që do t'i bëjmë çdo ditë, që ta kemi Republikën e Kosovës një shtet më të fuqishëm, sipas idealeve të cilat i kanë pasur të rënët tanë për liri.
Lavdi gjithë dëshmorëve, heronjve dhe martirëve të lirisë sonë!"
Në këtë aktivitet përkujtimor, kyeparlamentari Kadri Veseli , shoqërohej nga ish-ministri, Fehmi Mujota dhe kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli.