Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi Drejtorin e KE-së për Ballkanin Perëndimor, Paquet
E Mërkure, 14.01.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Z. Kadri Veseli, sot ka takuar Z. Jean-Eric Paquet, drejtuesin e Drejtorisë për Ballkanin Perëndimor, DG NEAR, dhe Samuel Zhbogar, Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë me bashkëpunëtorë. Bashkëbiseduesit diskutuan për raportet pozitive të deritashme në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian duke rikonfirmuar se këto marrëdhënie mund të zgjerohen dhe thellohen edhe më tutje.
"Bashkëpunimi mes Kuvendit të Kosovës dhe BE-së ka rëndësi të veçantë për agjendën legjislative, zbatimit të ligjeve dhe mbikëqyrjes së tyre që i kontribuojnë zhvillimit të vendit dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve. Përkrahja e vazhdueshme e BE-së për Kosovën në rrugën e saj evropiane ka rëndësi të pazëvendësueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës andaj mirëpresim thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm që këto procese të avancohen më tutje", theksoi Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në takim.
Z. Paquet potencoi se angazhimi i mëtejshëm i Kuvendit për aprovimin e disa ligjeve të rëndësishme do t'i kontribuojnë përafrimit të Kosovës me agjendën e integrimeve evropiane, sundimit të ligjit dhe ngritjes së mirëqenies së qytetarëve. Ai po ashtu theksoi rëndësinë dhe zhvillimin e mëtejmë të dialogut Kosovë-Serbi si dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura më 2014.
Bashkëbiseduesit u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit të Kuvendit të Kosovës dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në fushën e legjislativit, agjendës legjislative dhe bashkëpunimin e gjithanshëm për realizimin e kësaj agjende.