Lajmet e fundit
Komisioni për Integrime Evropiane u takua me një delegacion nga Drejtoria për Zgjerim e Bashkimit Evropian
E Marte, 13.01.2015
Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës, është takuar sot me një delegacion nga Njësia e Kosovës në Drejtorinë për Zgjerim në Bruksel, të kryesuar nga Cindy Van den Boogert.
Në takim u bisedua për ecurinë e deritashme të angazhimeve të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, si dhe për sfidat me të cilat vendi ynë përballet aktualisht.
Një interesim i veçantë iu kushtua valës së largimit ilegal të qytetarëve të Kosovës në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, për të cilën, të dy palët ndanë shqetësimet e tyre.
Anëtarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani, e cila në mungesë të kryetares Teuta Sahatqija, e udhëhoqi këtë takim, i njoftoi mysafirët me hapat që ka bërë Kosova në procesin e integrimit evropian, për të cilin tha se ekziston një unitet i të gjithë spektrit politik të Kosovës. Në këtë aspekt, ajo foli edhe për rolin e komisionit, si dhe sfidat me të cilat ai përballet në përmbushjen e detyrave të tij. Deputetja Osmani u ndal edhe në procesin e liberalizmit të vizave dhe migrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës që po ndodh në muajt e fundit, duke i konsideruar këto si sfida mjaft të ndjeshme për vendin.
Procesi i integrimit evropian të Kosovës dhe emigrimi i qytetarëve të saj, ishin temat kryesore që përshkuan bisedën e këtij takimi dhe diskutimet e anëtarëve të tjerë të komisionit. Duke shprehur shqetësimet e tyre përkitazi me këto largime ilegale, deputetët shtruan nevojën e marrjes së masave ndaj atyre që po organizojnë dhe ndihmojnë këtë largim, por edhe rritjen e angazhimeve të të gjitha palëve për krijimin e kushteve, të cilat do të ndikonin në zvogëlimin e arsyeve për largim nga Kosova.
Në kuadër të përpjekjeve për ndaljen e këtij emigrimi, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh anëtar i këtij komisioni, Xhavit Haliti, theksoi nevojën e përmirësimit të gjendjes ekonomike dhe ngritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës, nëpërmjet rritjes së angazhimeve dhe hartimit të projekteve të përbashkëta ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Zyrtarja e Bashkimit Evropian, Cindy Van den Boogert, ndërkaq, pasi shprehu kënaqësinë e saj për konstituimin e institucioneve të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar, shfaqi shpresën se ky vit për Kosovën do të jetë i mbarë sa i përket procesit të integrimeve evropiane dhe përfundimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Ajo tha se sipas planit, shpresohet që MSA-ja të nënshkruhet deri në mesin e këtij viti, ndërsa për shkak të procedurave të Bashkimit Evropian, formalizimi i saj në tërësi të bëhet deri në fund të vitit.
Sa i përket çështjes së emigrimit të qytetarëve të Kosovës në drejtim të vendeve të BE-së, znj. Van den Boogert tha se ky është shqetësim për të gjithë BE-në, ndërsa shprehu gatishmërinë e kësaj organizate për t'i ndihmuar institucionet e Kosovës në përgatitjen e një fushate vetëdijesuese, në funksion të parandalimit të largimit të qytetarëve.