Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Marte, 13.01.2015




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Muhamet Mustafa, shqyrtoi shkresën e Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP), lidhur me ndërmarrjen shoqërore "Trepça".

Për gjendjen në këtë ndërmarrjeje dhe vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, njoftoi drejtori, Ahmet Tmava.

Ai fillimisht tha se ndërmarrja "Trepça", ndonëse në kushte jo të favorshme për punë, vitin e ka përmbyllë me sukses, si në prodhim ashtu edhe në menaxhimin e resurseve të saja. Duke shprehur shqetësimin e tij si, dhe të punëtorëve (2000 sosh), të kësaj ndërmarrjeje, ai më tej shtoi se në Ligjin për riorganizimin e ndërmarrjes "Trepça", është paraparë që riorganizimi i ndërmarrjes të bëhet deri më dy prill. Duke pasur parasysh rrethanat në të cilat ka funksionuar ndërmarrja, tha në vijim Tmava, ne jemi ankuar në Dhomën e Posaçme që ky afat të zgjatet. Dhoma e Posaçme, sqaroi ai, jo që nuk e ka zgjatur këtë afat, por e ka shkurtuar, nga dy prill në dy shkurt. Duke i bërë thirrje komisionit që të ndikojë në revidimin e vendimit të Dhomës së Posaçme, sipas të cilit pas datës dy shkurt, "Trepça" shkon në likuidim, Tmava në fund u shpreh:" Ndërmarrja shoqërore "Trepça", është me interes nacional dhe duhet ruajtur me çdo kusht".

Anëtarët e komisionit, ndërkaq, duke shprehur mospajtim dhe indinjatë të thellë me vendimin e Dhomës së Posaçme, u zotuan se do të angazhohen pareshtur për mbrojtjen e ndërmarrjes "Trepça" nga likuidimi. Lidhur me këtë, komisioni vendosi që fillimisht, mospajtimin e tij ta shfaqë me një shkresë zyrtare dërguar kryeparlamentarit, z. Kadri Veseli dhe kryetarit të Qeverisë, z. Isa Mustafa.

Në këtë mbledhje komisioni ka shqyrtuar edhe Projekt Planin e Punës së për vitin 2015. Sipas Planit të Punës për këtë vit, komisioni ka paraparë që ndër çështjet më me prioritet të trajtohet: krijimi i kushteve për investitorë të brendshëm dhe të jashtëm, stimulimi i prodhimeve vendore, krijimi i infrastrukturës ligjore dhe mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve. Me theks të veçantë, ndërkaq, do të mbikëqyret performanca e bordeve në ndërmarrjet publike si dhe agjencionet e pavarura.

Plani i Punës së Komisionit për vitin 2015, pritet të miratohet në mbledhjen e radhës, pasi që në të, të inkorporohen propozimet e dala nga mbledhja e sotme.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...