Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së
E Marte, 13.01.2015
Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga Daut Haradinaj, kryetar i komisionit, u shqyrtua në parim Projektligji Nr.05/L-02 për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.
Lidhur me këtë projektligj të ftuar në këtë mbledhje ishin edhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe të Policisë së Kosovës.
Anëtarë të Komisionit duke i dhënë mbështetje unanime këtij projektligji për procedim të mëtejmë, pasi shfaqën disa vërejtje në këtë projektligj, theksuan faktin se gjatë amendamentimit duhet të angazhohen të gjithë anëtarët e komisionit në grupin punues, për të nxjerrë një ligj të zbatueshëm dhe të qëndrueshëm.
Më tej, disa nga anëtarët e komisionit shfaqën shqetësimin e tyre lidhur me Projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve, duke theksuar se Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri është dashur të jetë komision funksional për shqyrtimin e këtij projektligji.