Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi ambasadorin e Republikës së Italisë, Ferrarese
E Hënë, 05.01.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë, Andreas Ferrarese. Bashkëbiseduesit diskutuan për raportet e deritashme të shkëlqyera në mes dy vendeve, duke rikonfirmuar se këto marrëdhënie mund të zgjerohen dhe të thellohen në interes të përbashkët.
Z. Veseli e falënderoi ambasadorin Ferrarese për mbështetjen e deritashme të Republikës së Italisë, në veçanti për bashkëpunimin ndërparlamentar, bashkëpunimin ekonomik dhe atë në sferën e sigurisë. Me këtë rast, z. Veseli veçoi rëndësinë e kontributit të Italisë në proceset historike nëpër të cilat ka kaluar vendi, mbështetjen e këtij vendi mik në proceset e ndjeshme nëpër të cilat ka kaluar Kosova , si dhe përkrahjen në rrugën e integrimeve euro-atlantike.
Kryetari dhe ambasadori diskutuan edhe për zhvillimet aktuale në Kuvend, duke u fokusuar në prioritetet e kësaj legjislature gjatë vitit 2015, marrëdhëniet fqinjësore dhe rajonale, e në veçanti, marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe përmirësimin e tyre të vazhdueshëm.
Ambasadori Ferrarese, mbështet plotësisht normalizimin e këtyre marrëdhënieve ndërshtetërore, duke u fokusuar në përmirësimin e klimës së biznesit, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, jo vetëm në Kosovë , por edhe në rajon.
"Mbështetja e Italisë në proceset integruese të Republikës së Kosovës ka rëndësi të madhe për qytetarët e Kosovës, andaj mirëpresim thellimin e bashkëpunimit, në mënyrë që këto procese të avancohen më tutje. Bashkëpunimi në mes dy kuvendeve tona, grupeve dhe komisioneve parlamentare, në veçanti për fushat që kanë të bëjnë me rritjen e mirëqenies ekonomike dhe investimet do të ishin me interes të vendeve dhe qytetarëve tanë, theksoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Bashkëbiseduesit u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Itali në fushën e legjislativit, duke theksuar se Kosova është vend tërheqës për investime, vend i gatshëm të përmirësojë klimën për to, me ligje të favorshme dhe transparencë.