Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës
E Marte, 30.12.2014
Anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, kryesuar nga Daut Haradinaj, kryetar i komisionit, pritën sot në takim ministrin e FSK-së, Haki Demolli, si dhe komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati.
Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me angazhimet dhe bashkëpunimin mes komisionit parlamentar për siguri dhe FSK-së, gjatë vitit 2015.
Anëtarët e Komisionit, duke vlerësuar lart punën e FSK-së, theksuan se viti 2015 do të jetë një vit i rëndësishëm për FSK-në dhe se Komisioni do të jetë në përkrahje të kësaj force në mënyrë që të arrihen objektivat e parapara. "Do të jemi mbështetës serioz të FSK-së", tha Haradinaj.
Me këtë rast ministri i FSK-së, Haki Demolli, tha se kontrolli nga ana e Kuvendit garanton një punë më të qëndrueshme, stabile dhe të suksesshme. Ai tha se duhet angazhim i përbashkët për realizimin e transformimit të FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës".
Ndërkaq, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, tha se FSK-ja po e përmbyll në mënyrë të suksesshme këtë vit dhe se FSK-ja tashmë është me e avancuar dhe më e angazhuar në aspektin profesional, duke shtuar më tej se gjatë vitit 2015 do të ketë ndryshime të mëdha, andaj kërkoi edhe përkrahjen e mëtejmë të anëtarëve të komisionit parlamentar për siguri.