Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i mbledhjes plenare për miratimin e buxhetit të Kosovës për vitin 2015
E Hënë, 29.12.2014
Në vazhdimin, pas dite, të seancë plenare të Kuvendi i Republikës së Kosovës, për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka falënderuar komisionet e përhershme për angazhimin shumë të madh për shqyrtimin e projektligjit edhe gjatë kohës së pauzës së mesditës.
Në vazhdim të seancës kryeparlamentari Veseli i ka ftuar kryetarët e komisioneve të përhershme që t'i paraqesin raportet me rekomandime.
Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, ka theksuar punën e madhe të komisionit, në këtë periudhë tepër të shkurtër kohe, gjatë së cilës komisioni ka shqyrtuar pjesën tekstuale të Projektligjit, pjesën tabelare, por edhe kërkesat buxhetore, duke shoshitur edhe referencat në kode dhe tabela. Komisioni ka propozuar, por edhe ka rreshtuar amendamente të komisioneve të tjera dhe të deputetëve, ka thënë Osmani. Ai me këtë rast ka pohuar se komisionet dhe deputetët i kanë propozuar seancës amendamente të shumta , por ka konstatuar se një pjesë e madhe e amendamenteve të propozuara nuk i kanë plotësuar kushtet për t'u quajtur të tilla.
Komisioni i ka radhitur 64 amendamente, që ngërthejnë 255 ndryshime në Projektligjin për Buxhetin, të cilët i janë propozuar seancës për shqyrtim dhe miratim, ka përfunduar Osmani ,duke i ka ftuar deputetët që ta miratojnë Projektligjin për Buxhetin e Kosovës, për vitin 2015.
Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulenë Haxhiu, ka shprehur shqetësimin e saj për shkurtimet buxhetore për sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke prezantuar shifra dhe fakte për konstatimin e saj, e që prekin sektorë të ndryshëm të gjyqësorit. Fondin e Veriut, të përfshirë në këtë projektbuxhet e ka quajtur fond paralel dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Haxhiu, ndërkaq, ka shprehur qëndrimin shumicës së anëtarëve të Komisionit se Projektligji për Buxhetin nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Duk e prezantuar raportin në emër të Komisionit për Integrime Evropiane , Teuta Sahatqija, ka pohuar se në tri mbledhjet e Komisionit, gjatë ditës së sotme janë shqyrtuar fillimisht 60 amendamente, e në fund edhe katër amendamente, që nuk ishin përfshirë në variantin e parë. Ajo ka pohuar konstatimin e Komisionit, të cilin e drejton se PL për Buxhetin e Kosovës për vitin 2015 nuk është në kundërshtim me legjislacionin e BE-së. Ajo, ndërkaq, ka shprehur keqardhje për faktin që edhe me këtë projektligj për buxhetin nuk parashihet pavarësia buxhetore e Kuvendit të Kosovës, që ishte njëra nga kërkesat e Komisionit Evropian në Raportin e progresit.
Donika Kadaj-Bujupi, kryetare e GP të AAK-së, ka theksuar se me këtë buxhet qytetarët nuk mund të presin zhvillim ekonomik, por stagnim dhe varfërim." Do të ketë më shumë varfëri dhe ikje të qytetarëve tanë jashtë vendit", ka thënë deputetja. Ajo ka kërkuar që të implementoet kontrata kolektive me sindikatat.
Deputetë nga radhët e komuniteteve pakicë, ndërkaq, kanë kërkuar më shumë buxhet për zhvillim sa më normal të mjediseve në të cilat jetojnë qytetarët e këtyre komuniteteve.
Seanca ka vazhduar punimet me hedhjen në votim të amendamenteve të propozuara, qofshin të komisioneve të përhershme , të atyre funksionale, apo të deputetëve të veçantë. Shumica e deputetëve kanë qenë shumë të angazhuar që të arsyetojnë amendamentet që i përkrahen, por edhe duke kundërshtuar amendamentet që nuk i kanë vlerësuar të dobishme për sektorë të caktuar dhe për qytetarët.
Kryeministri Mustafa, ministri i Financave, Hoti dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar janë involvuar në debat për të dhënë sqarime lidhur me amendamentet në shqyrtim, si dhe për të prezantuar qëndrimet e ministrive përkatëse për çështje që tangojnë Buxhetin e Republikës së Kosovës, duke i miratuar ose jo amendamentet e caktuara.
Në përfundim, deputetët me shumicë votash kanë miratuar Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, bashkë me amendamentet që i kanë marrë votat e nevojshme të deputetëve. Nga 92 deputetë të pranishëm : "Për" kanë votuar 69 deputetë , 20 kanë qenë kundër dhe tre kanë abstenuar.
Në vazhdim të seancës kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, ka paraqitur raportim me rekomandime të këtij komisioni lidhur me propozimvendimin e Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e periudhës kalimtare ( nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2015) për lirimin nga pagesa e TVSH-së për disa lëndë të para, prodhime dhe furnizime nga importi, të rëndësishme për zhvillimin e ekonomik të Kosovës, duke kërkuar nga deputetët që ta miratojnë atë.
Me shumicë votash të deputetëve është miratuar ky propozimvendim i Qeverisë. "Për" kanë votuar 64, 8 kundër dhe 4 kanë abstenuar.