Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

E Hënë, 29.12.2014





Kuvendi i Republikës së Kosovës, i mbledhur sot në seancë plenare, të drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, nuk e ka filluar shqyrtimin për herë të dytë të Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015.

Menjëherë pasi që kryeparlamentari Veseli i ka përkujtuar deputetët për propozimin e Kryesisë dhe vendimin e seancës së shkuar për shqyrtimin e këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar, në foltore ka dalë shefi i GP të LDK-së , Ismet Beqiri, i cili ka kërkuar që si pikë e re e rendit të ditës së kësaj seance të jetë zgjatja e periudhës kalimtare ( nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2015) për lirimin nga pagesa e TVSH-së për disa lëndë të para, prodhime dhe furnizime nga importi, të rëndësishme për zhvillimin e ekonomik të Kosovës. Në këtë mes ai ka specifikuar: lëndë të para dhe makineri bujqësore, sisteme të ujitjes së tokave bujqësore, furnizime të financuara nga donatorë, në mbështetje të projekteve humanitare, si dhe furnizime për organizatat ndërkombëtare dhe ndërqeveritare.

Propozimi në fjalë është mbështetur nga Adem Grabovci, ( PDK), kurse është kundërshtuar nga shefat e grupeve parlamentare opozitare (Visar Ymeri, Donika Kadaj Bujupi dhe Jakup Krasniqi), duke specifikuar se një çështje e tillë e rëndësishme ka mundur të procedohet në mënyrë të rregullt nga Kryesia, e duke vënë në pah se për shqyrtimin e saj nevojite më shumë kohë për deputetët.

Duke folur në emër të deputetëve të Listës Serbe, Jasmina Zhivkoviq, ndërkaq, jo vetëm që e ka kundërshtuar propozimin e z. Beqiri, por duke theksuar se gjatë amendamentimit të Projektligjit për Buxhetin nuk janë marrë parasysh interesat e qytetarëve serbë në Kosovës, sidomos për kthim, e ka njoftuar seancën se deputetët e këtij grupi parlamentar do ta braktisin seancën, gjë që edhe e kanë bërë.

Me shumicë votash deputetët e kanë miratuar pikën e propozuar të rendit të ditës ( 65 për, 30 kundër dhe 1 abstenim).

Debatit të gjatë për atë se si është proceduar me procesin e amendamentimit të PL për Buxhetin e Kosovës 2015, i ka paraprirë kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu. Ajo ka theksuar se , duke u ngarkuar vetëm Komisionin për Buxhet dhe Financa për shqyrtimin e dytë të PL për Buxhet , e duke anashkaluar kësisoj Komisionin për Legjislacion dhe dy komisionet e tjera të përhershme, është shkelur Rregullorja e Kuvendit. Prandaj deputetja ka kërkuar të votohet mocioni për kalimin e projektligjit edhe në komisionin të cilin e drejton.

Kërkesa e znj. Haxhiu ka marrë mbështetje edhe nga disa deputetë të tjerë opozitar, si: Melihate Trmkolli dhe Donika Kadaj- Bujupi, e cila ka pohuar se në Komisionin për Buxhet dhe Financa, siç është shprehur deputetja, janë kontrabanduar amendamente të pa miratuara nga anëtarët e këtij komisioni. Ilir Deda, ndërkaq, ka shprehur shqetësimin e anëtarëve të Komisionit për Integrime Evropiane, që janë përjashtuar nga shqyrtimi i Buxhetit për këtë vit.

Deputetë nga radhët e pozitës ,si : Vjosa Osmani e Armend Zemaj, ndërkaq, janë ankuar se dy amendamentet e tyre, të propozuara në afatin e rregullt procedural, nuk janë përfshirë në raportin e Komisionit për Buxhet dhe Financa e as u janë shpërndarë deputetëve.

Duke e parë gjendjen e krijuar, shefi i GP të PDK-së, Adem Grabovci ka propozuar që të ndërpritet kjo seancë deri në orën 14:00, për t'ju dhënë kohë tri komisioneve të përhershme (Komisionit për Legjislacion, atij për Integrime Evropiane dhe atij për Komunitete dhe Kthim), ta shqyrtojnë Buxhetin. Idenë e ka mbështetur edhe shefi i GP të LDK-së, duke kërkuar që të përfshihen edhe dy amendamentet e propozuara nga bashkëpartiakët e tij.

Megjithëse shefat e grupeve parlamentare opozitare kanë insistuar që seanca të vazhdojë ditën e nesërme, me 68 vota të deputetëve u vendos që seanca të ndërpritet për të vazhduar pas dite.

 

 

Nga mbledhja plenare e Kuvendit Nga mbledhja plenare e Kuvendit Nga mbledhja plenare e Kuvendit Nga mbledhja plenare e Kuvendit