Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

E Premte, 26.12.2014




Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja e komisionit, Teuta Sahatqija, pikë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2015.

Në mungesë të amendamenteve përfundimtare të Komisionit për Buxhet dhe Financa, anëtarët e komisionit vendosën që këtë çështje ta shqyrtojnë gjatë ditës së hënë, pasi ta kenë raportin zyrtar të Komisionit për Buxhet.

Megjithatë, anëtarët e komisionit: Teuta Sahatqija, Ilir Deda dhe Vjosa Osmani, gjatë diskutimit të tyre lidhur me këtë projektligj shfaqën disa shqetësime.

U theksua fakti se për Ministrinë e Integrimeve Evropiane ka zvogëlim të buxhetit për dy vitet e ardhshme dhe për këtë çështje duhet ftuar për raportim në Komision, ministrin e Integrimeve Evropiane. Po ashtu, u propozua që ministri Bekim Çollaku të ftohet për raportim në komision edhe lidhur me migrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës.

U tha po ashtu se mjetet e parapara për mekanizmat për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar janë të pamjaftueshme, ndërkaq si një shqetësim tjetër i radhës ishin edhe mjetet e ndara për fushën e arsimit.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane