Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport

E Premte, 26.12.2014




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, kryesuar nga Nait Hasani, kryetar, ishin ftuar dy ministra që kanë të bëjnë me fushëveprimtarinë e këtij Komisioni, përkatësisht Valon Murati, ministër i Ministrisë së Diasporës dhe Arsim Bajrami, ministër i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për të folur lidhur me sfidat dhe prioritetet e këtyre ministrive.


Duke iu drejtuar anëtarëve të Komisionit, ministri Valon Murati theksoi se Komisioni dhe Ministria e Diasporës gjenden para një dinamike të ngjeshur pune, ndaj është i nevojshëm një bashkëpunim i ngushtë drejt institucionalizimit të mërgatës sonë, e cila ka pasur të arritura, por edhe probleme. Në këtë kontekst, ai përmendi faktin se vetëm 5 për qind e fëmijëve tanë në diasporë janë të përfshirë në mësimin në gjuhën shqipe, që është një shkallë tejet e ulët e përfshirjes. Një sfidë tjetër në këtë lëmë është edhe regjistrimi mërgatës, që është edhe pjesë e strategjisë së kësaj ministrie nga viti 2014, ndër qëllimet e së cilës janë edhe sensibilizimi i opinionit dhe identifikimi i kuadrove në botën e jashtme, pastaj i bizneseve të mërgimtarëve tanë etj. Ndryshimi i Ligjit mbi diasporën është po ashtu një detyrë tjetër e rëndësishme.


Në vijim ministri Murati foli edhe për hapjen e tri qendrave kulturore, nga ana e Kosovës në Suedi,Zvicër dhe Turqi,si dhe domosdoshmërinë e hapjes së më shumë qendrave të këtilla nëpër shtete të tjera , ku janë më shumë të koncentruar qytetarët tanë. Planifikohet hapja edhe e qendrave të tjera të përbashkëta bashkë me Shqipërinë. Në lëmin e përfshirjes së fëmijëve në shkollim amtar do të bashkëpunohet edhe me Bosnjë-Hercegovinën dhe Serbinë. Murati ishte i mendimit se është i nevojshëm edhe formimi i Komisionit për Mërgatën nga ana e Kuvendit të Kosovës.
Në debatin që pasoi nga ana e anëtarëve të Komisionit u shfaq gatishmëria e lartë për të bashkëpunuar me Ministrinë në të gjithë këta lëmenj, duke ditur se diaspora ka hequr shumë, por edhe ka ndihmuar shumë Kosovën. U theksua se mësimi plotësues është një obligim i veçantë, duke ditur se ai do të jetë një digë e rëndësishme për uljen e shkallës së asimilimit të fëmijëve të Kosovës në botën e jashtme. Ndërkaq, sa i përket Ligjit për Mërgatën, u tha se ai duhet të sillet edhe njëherë në Kuvend, për të bërë ndryshimet e nevojshme, meqë kështu si është , ai është ligj vetëm sa për të thënë, u tha gjatë debatit. Kërkesë tjetër ishte edhe nevoja e ndryshimit të qasjes kundruall problemit të diasporës, për t' u shmangur nga praktikat e viteve 70.


Komisionit pastaj iu drejtua ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili tha se kjo ministri në fushëveprimin e vet ka tri fusha shumë të rëndësishme,siç janë: arsimi, shkenca dhe teknologjia. Në këtë frymë, duke folur për çështjen e arsimit në të gjitha nivelet, ministri Bajrami tha se ngritja e cilësisë së arsimit është e një rëndësie të veçantë, duke ditur se brezat e rinj janë e ardhmja jonë. Ministri i bëri një vështrim të veçantë edhe gjithëpërfshirjes së fëmijëve në shkollim, pastaj humanizmit të mëtejmë të shkollimit, nevojës së progresit në aspektin teorik e praktik të mësimdhënies etj.


Si ministri Bajrami, ashtu edhe anëtarët e Komisionit, u angazhuan për domosdoshmërinë e krijimit të një baze të avancuar në arsimin parauniversitar,i cili do të reflektohet pastaj pozitivisht në arsimin universitar. Për të arritur këtë është e nevojshme që të bëhen edhe ligje sa më të mira për arsimin në përgjithësi. Ligji duhet të forcojë autonominë e universiteteve, pa harruar edhe nevojën e menaxhimit sa më të mirë të tyre , si dhe sigurimin e një buxheti, i cili mundëson një reformë rrënjësore në universitete. Gjatë diskutimeve u shtrua edhe nevoja e një mbikëqyrjeje sa më të mirë të procesit të mësimdhënies, i cili në praktikën e deritashme nuk kënaq.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe SportMbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport