Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Marte, 23.12.2014
Komisioni për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Naser Osmani, kryetar, shqyrtoi pjesën tekstuale të Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, pas miratimit të tij në parim nga Kuvendi.
Fillimisht, kryetari Osmani theksoi se për shkak të procedurës së përshpejtuar të shqyrtimit të këtij projektligji, të votuar nga Kuvendi, amendamentimi i tij duhet të përfundojë brenda kësaj jave, në mënyrë që projektligji të jetë i gatshëm për seancë të hënën, më 29 dhjetor.
Para anëtarëve të komisionit, ministri i Financave, Abdullah Hoti, propozoi disa ndryshime në tekstin e projektligjit. Në funksion të përmirësimit të projektbuxhetit, gjatë shqyrtimit të hollësishëm të pjesës tekstuale, komisioni bëri disa plotësime në pjesë të caktuara të tij. Komisioni vazhdon punën nesër në finalizimin e pjesës tekstuale dhe asaj tabelare të projektligjit.