Lajmet e fundit
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka takuar drejtuesit e RTK-së, Ismet Behxhetin dhe Mentor Shalën
E Marte, 23.12.2014
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot drejtorin e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, z. Ismet Behxheti dhe drejtorin e përgjithshëm, z. Mentor Shala.
Kryeparlamentari Veseli në takim me drejtuesit e RTK-së u njoh nga afër me zhvillimet, gjendjen dhe sfidat me të cilat përballet RTK-ja, me theks të veçantë çështjen e financimit të mediumit publik.
Ai i inkurajoi drejtuesit e RTK-së për punë të përkushtuar në pajtim me ligjin, duke theksuar se informimi i drejtë dhe objektiv është premisë për një shoqëri të zhvilluar e demokratike, sa më afër interesave, synimeve dhe të arriturave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim.
Drejtuesit e RTK-së, Behxheti e Shala vunë në spikamë, në këtë rast, edhe çështjen e rregullimit të statusit të pronave, që aktualisht janë në shfrytëzim nga RTK-ja, si dhe digjitalizimin e mediave, i cili pritet të implementohet së shpejti.
Nga takimi doli qëndrim i përbashkët se çështja e transparencës së institucioneve kontribuon për zhvillimin e mëtejmë të shoqërisë sonë.
"Jam shumë i përkushtuar që të dëgjohet zëri i qytetarit, interesi dhe brenga e tij, jo vetëm nëpërmjet debatit dhe diskutimit në Kuvend, por edhe me marrjen në konsideratë edhe të parashtresave dhe kërkesave të qytetarëve pranë zyrave përkatëse" , theksoi ndër të tjera, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.