Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport
E Marte, 23.12.2014
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, kryesuar nga Nait Hasani,kryetar,mbajti sot mbledhjen konstituive. Në fillim të mbledhjes, Nait Hasani, i bëri një vështrim fushëveprimtarisë së këtij Komisioni. Si në fjalën e tij , ashtu edhe të anëtarëve të Komisionit, u ravijëzuan disa nga çështjet më thelbësore me të cilat do të merret ky Komision gjatë punës së tij, sidomos në fushën e legjislacionit, duke kontribuar në reformimin, hartimin dhe miratimin e ligjeve , me të cilët do të rregullohej më mirë fushëveprimtaria e lëmenjve që përfshin ky Komision.
Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, në bazë të nenit 57, paragrafi 3, 4 dhe 5 të Rregullores së Kuvendit, vendosi që Komisionit për Buxhet dhe Financa t'ia paraqesë 5 amendamente, në Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, që kanë të bëjnë me zvogëlimin e shumës së mjeteve financiare për disa kategori të investimeve kapitale, ndërsa pjesa e mbetur të destinohet për projekte të reja. Arsyetimin e këtyre amendamenteve para Komisionit për Buxhet dhe Financa do ta bëjë kryetari i këtij Komisioni, Nait Hasani.