Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
E Hënë, 22.12.2014
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti) shqyrtoi në parim Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015.
Fillimisht, kryeparlamentari Veseli i njoftoi deputetët me propozim-vendimin e Kryesisë së Kuvendit për shqyrtimin e këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar. Me 95 vota për dhe vetëm një abstenim, Kuvendi votoi për shmangie nga Rregullorja e punës, duke i hapur kështu rrugë procedurës së përshpejtuar të shqyrtimit të projektbuxhetit.
Aspekte të përgjithshme të projektligjit, para deputeti shkoqiti kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa. Duke i prezantuar orientimet makroekonomike për vitin 2015, ai tha se ky është projektligji i parë që ai e prezanton në Kuvend në cilësinë e kryeministrit të vendit, duke e konsideruar atë një ndër dokumentet më të rëndësishme që qeveria sjell para deputetëve për miratim.
Kryeministri Mustafa tha se ky projektbuxhet procedohet shpejt në Kuvend për shkak të nevojës së miratimit të tij brenda këtij viti dhe të krijimit të kushteve normale që buxheti të fillojë të realizohet në fillim të vitit të ardhshëm. Kryeministri tha se në vitin 2015, me vlerësimet e tanishme, pritet që ekonomia e vendit të ketë një normë vjetore të rritjes mbi 4 për qind, ndërsa në këndvështrimin afatmesëm, kjo normë e rritjes pritet të jetë edhe më e lartë, si rezultat i reformave substanciale që qeveria planifikon të ndërmarrë gjatë vitit 2015.
"Në kuadër të rritjes makroekonomike, pritet që kontributin më të madh ta kenë investimet, në veçanti investimet private. Është normale të theksohet se sektori privat do të presë që Qeveria e Republikës së Kosovës të krijojë ambientin e nevojshëm për bizneset. Prandaj, theksoj se ne jemi shumë të përkushtuar që të zhvillojmë një partneritet dhe bashkëveprim me sektorin privat dhe që të gjitha veprimet dhe reformat tona t'i orientojmë drejt plotësimit të gjitha parakushteve për rritjen e sektorit privat për vitin e ardhshëm", u shpreh kryeministri Mustafa, ndërsa shtoi se si rrjedhojë e kësaj, investimet private pritet që gjatë viteve të ardhshme të rriten me një normë mesatare prej 8.6 për qind.
Rritja e investimeve, sipas kryeministrit të vendit, është shumë ngushtë e lidhur me kapacitetin e vendit për të eksportuar dhe synimi i qeverisë do të jetë rritja e tij.
Për komponentin tjetër shumë të rëndësishëm të bruto produktit vendor, konsumin, kryeministri tha se është projektuar që në vitin 2015 të ketë një rritje prej 4 për qind, ndërsa konsumi privat pritet të ketë një rritje edhe më të madhe.
Duke prezantuar në shifra planifikimet buxhetore, kryeministri Isa Mustafa theksoi se të hyrat e përgjithshme buxhetore për vitin 2015, janë planifikuar të jenë në nivel prej 1 miliard e 576 milionë euro, që, sipas tij, është një rritje prej rreth 8.1 për qind, krahasuar me vitin 2014.
"Projeksionet tona për rritje të të hyrave tatimore nuk parashohin rritje të normave tatimore, por rritja e të hyrave do të vijë si rezultat i fitimit i cili do të realizohet në ekonomi dhe si rezultat i luftimit të ekonomisë joformale e rritjes së ekonomisë vendore, duke u bazuar në parimin e partneritetit dhe bashkëpunimit me sektorin privat. Qeveria është shumë e interesuar dhe përkushtuar në fuqizimin e Administratës Tatimore dhe Doganore, për të rritur nivelin e shërbimeve të tyre, për mbledhje e tatimeve dhe për rritjen e performancës së tyre", u shpreh kryeministri i vendit.
Duke u ndalur të shpenzimet, Mustafa tha se do të vazhdohen investimet në infrastrukturën rrugore, sektorin e arsimit, shëndetësisë, fushën e sigurisë, në bujqësi dhe shëndetësi, ndërsa do të bëhet i mundur edhe adresimi i një sërë sfidash në fushën sociale, siç është rasti me kategoritë e dala nga lufta, pensionistët, të ish-burgosurit politikë, familjet në asistencë sociale etj.
Sa i përket rritjes së pagave, ndërkaq, sipas tij, në buxhet është përfshirë rritja nga ky vit, kurse rritjet e tjera të mundshme do të shqyrtohen gjatë vitit në harmoni me mundësitë buxhetore.
"Niveli i përgjithshëm i të dalave buxhetore për vitin 2015 është planifikuar të jetë në vlerë prej 1 miliard e 682 milionë euro, që paraqet një rritje prej rreth 6 për qind krahasuar me nivelin e përgjithshëm të shpenzimeve të planifikuara për vitin 2014", bëri të ditur Mustafa, duke kërkuar nga deputetët miratimin e projektbuxhetit, në mënyrë që qeverisë t'i krijohen mundësitë të operojë normalisht në fillim të janarit të vitit të ardhshëm.
Pas kryeministrit Mustafa, hollësi të tjera lidhur me Projektligjin për Buxhetin, para deputetëve prezantoi ministri i Financave, Abdullah Hoti.
Në vazhdim të mbledhjes, kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, bëri të ditur qëndrimin e komisionit, sipas të cilit, i rekomandohet Kuvendit miratimi i tij në parim.
Në fjalën e tij, deputeti Osmani paraqiti të dhëna përmbajtësore përkitazi me projektligjin, si të pjesës tekstuale, ashtu edhe në shifra konkrete. Ai tha se projektligji përmban të dhëna për vitin e ardhshëm fiskal dhe krahasimet me periudhën paraprake, si dhe vlerësimet e parashikimet për dy vitet pasuese, në lidhje me numrin e punonjësve të organizatave buxhetore të cilët do të paguhen nga ndarjet buxhetore gjatë vitit të ardhshëm fiskal, të ardhurat e përgjithshme të organizatave buxhetore, të ardhurat e përgjithshme sipas kategorive ekonomike, funksionale dhe programore, një parashikim të të ardhurave të dedikuara dhe të ardhurave vetanake për secilën organizatë buxhetore, si dhe çdo ndarje e këtyre të ardhurave të kategorizuar në bazë të programit dhe klasifikimit ekonomik. Përmban gjithashtu, planifikimin afatmesëm të të hyrave totale të buxhetit komunal, tabela të veçanta dhe të hollësishme të shpenzimeve për institucionet e nivelit qendror dhe institucionet e nivelit lokal, tabelat e veçanta të projekteve kapitale për institucionet e nivelit qendror dhe të institucioneve lokale, që barten nga viti kaluar, projektet e reja për vitin e ardhshëm fiskal si dhe vlerësime të ndikimit financiar të projekteve të tilla në dy vitet ardhshme, të ardhurat nga dividenta etj.
Duke hapur diskutimet nga radhët e përfaqësuesve të grupeve parlamentare, deputetja Safete Hadërgjonaj paraqiti qëndrimin e Grupit Parlamentar të PDK-së, sipas të cilit, në planifikimin e buxhetit për vitin 2015, një kujdes i veçantë i është kushtuar ruajtjes së qëndrueshmërisë fiskale dhe zhvillimit ekonomik. Ajo tha se është bërë planifikim i matur i shpenzimeve në raport me të hyrat e parashikuara, si dhe shpërndarja efikase e tyre nëpër kategori të caktuara. Projektbuxheti, sipas saj, është përqendruar në transformimin e ekonomisë së Kosovës në një ekonomi më të zhvilluar dhe konkurruese, ndërsa nëpërmjet mjeteve jo gjithmonë të mjaftueshme, të adresohen nevojat më të rëndësishme të shoqërisë, të rritet efikasiteti i shërbimeve publike, të adresohen barrierat për avancimin e konkurrencës në sektorin privat, të ruhet trendi i investimeve kapitale dhe të krijohet një ambient më i favorshëm dhe i sigurtë për të gjithë.
"Duhet theksuar se në adresimin e të gjitha këtyre çështjeve me interes, është arritur që të ruhet niveli i ulët i borxhit publik, të respektohet rregulla fiskale, duke kufizuar deficitin buxhetor në kufirin prej 2 për qind të BPV. Nga të dhënat për indikatorët kryesorë makroekonomikë, që janë pjesë e këtij projektbuxheti, vërejmë se do të vazhdojë trendi i rritjes ekonomike për vitin 2015 prej 4.1 për qind", theksoi deputetja Hadërgjonaj, duke u ndalur në sektorë të caktuar, të cilët do të përfitojnë nga ky buxhet.
Duke prezantuar qëndrimin e PDK-së në përkrahje të këtij buxheti, Hadërgjoanj tha se ai vazhdon me ritmet pozitive të rritjes, duke i dhënë mundësi qeverisë t'i realizojë objektivat e saj për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe qëndrueshmëri e stabilitet makro-fiskal.
Duke folur në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, deputeti Naser Osmani tha se projektbuxheti për vitin e ardhshëm përmban kornizën makrofiskale për vitin 2015, që pasqyron të dhëna për rrjedhat makro-ekonomike aktuale, për treguesit makroekonomikë dhe trendin e të hyrave dhe shpenzimeve, si dhe krahasime me zhvillimet ekonomike në vendet e BE-së, në kontekst të ndikimeve ekonomike në ekonominë e Kosovës në periudhën afatmesme.
"Përveç pjesë tekstuale, projektligji përmban edhe pjesën tabelare, më të dhëna për të hyrat dhe shpenzimet e përgjithshme dhe sipas burimeve kategorive të tyre për vitin 2015 dhe parashikimet për dy vitet në vazhdim. Të dhëna kemi edhe për nivelin e deficitit dhe borxhit publik që janë brenda kornizës së përcaktuara me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë", u shpreh Osmani.
Në vazhdim ai foli në hollësi lidhur me strukturën e të hyrave buxhetore për vitin e ardhshëm, shpenzimet buxhetore kategorive ekonomike etj. Osmani tha se parashikimi i të hyrave buxhetore është bërë duke marrë për bazë trendet historike të kategorive të të hyrave në relacion me faktorët përcaktues ekonomikë, ndryshimet në politikat fiskale, si dhe ngritjen e efikasitetit të agjencive grumbulluese të të hyrave, si dhe masat e ndërmarra dhe që duhet të vazhdojnë të ndërmerren për reduktimin e ekonomisë jo-formale.
Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Bisnik Bislimi, u fokusua te procedimi i projektligjit nga ana e qeverisë, pa ndryshime në përmbajtjen e tij nga versioni i përgatitur nga qeveria e kaluar. Ai tha se sot po diskutohet në lexim të parë projektligji për buxhetin e vitit 2015, i përgatitur në nguti dhe pa pikë serioziteti, por të cilit, sipas tij, qeveria e tanishme në mënyrë unanime vendosi të mos ia heq as edhe një shkronjë të vetme.
"I nderuari kabinet qeveritar, keni dërguar në parlament dokumentin më të rëndësishëm që pasqyron jo vetëm orientimet e juaja, por edhe vendosmërinë apo gatishmërinë për t'i realizuar ato. Keni dorëzuar dokumentin që na tregon se si do të shpenzohet e gjithë paraja publike edhe atë në disa raste edhe përtej vitit 2015 dhe e keni bërë këtë me aq nguti, pa kujtuar që ngutja është armiku më i madh i cilësisë", theksoi deputeti Bislimi, ndërsa shtoi se ka me mijëra mundësi për ta përmirësuar atë, e me këtë edhe ndikimin e tij në mirëqenien e secilit qytetar, por ekziston vetëm një mundësi për ta bërë të kundërtën. Duke shprehur qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje kundër këtij buxheti, Bislimi shtoi se ai mund të jetë një mjet shumë i mirë për të përmirësuar jetën e qytetarëve, por mjeti i mirë nuk çon peshë kur është në duar të gabuara.
Në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, kryetarja e grupit, Donika Kadaj-Bujupi, tha se buxheti i shtetit reflekton në mënyrën më të plotë dhe domethënëse politikën e një qeverie, duke përbërë instrumentin kryesor të aksionit ekonomik të qeverisë. Duke u folur për projektbuxhetin e prezantuar nga ministri i Financave, Kadaj-Bujupi tha se ai është dokument i hartuar nga partneri i tij qeveritar dhe i ruajtur me xhelozi nga qeveria e re, duke mos ndryshuar as pikë as presje. Viti i ardhshëm, sipas saj, është i parapërcaktuar të jetë përsëritje e vitit 2014, vetëm se pritet të ketë edhe më pak mjete e investime, më shume varfëri e ministra.
Në vazhdim, Kadaj-Bujupi tha se qytetari i Kosovës sot është një prej qytetarëve më të dëshpëruar në botë, sepse, sipas saj, është i lodhur nga keqqeverisja e vazhduar, nga pagesat astronomike për kilometër të autoudhës dhe nga jotransparenca e skajshme. Rrjedhimisht, sipas saj, fati i qytetarëve tanë varet nga jetëgjatësia e kësaj qeverie të re, me njerëz dhe politika të vjetra.
"Ne, si Grup Parlamentar i AAK-së, nuk mund të përkrahim këtë projektbuxhet dhe do të votojmë kundër, sepse përfundimisht ky buxhet nuk i përmbush kërkesat minimale për ndryshimin ose më mirë të them, fillimin e ndryshimit të agonisë, e cila e ka kapluar ekonominë dhe qytetarin tonë", tha ndër të tjera në fjalën e saj deputetja Kadaj-Bujupi.
Kryetari i Grupit të Listës serbe, Sasha Milosavleviq, u shpreh i pakënaqur me ndarjen buxhetore për komunat dhe ministritë që udhëhiqen nga pjesëtarë të komunitetit serb. Ai tha se Lista serbe do të mundohet ta ndryshojë këtë nëpërmjet amendamenteve, brenda afatit të përcaktuar. Përkundër kësaj, ai u shpreh se deputetët serbë do ta votojnë në parim këtë projektligj.
Deputeti Jakup Krasniqi, në emër të Grupit Parlamentar të Nismës, tha se edhe pse ndoshta mund të arsyetohet natyra e punës me vrap për miratimin e këtij projektligji, nuk duhet lejuar shpenzimin e tij pa një kontroll rigoroz, sipas planifikimit, edhe pse, sipas tij, "nuk jemi të bindur se projektbuxheti është planifikuar më së miri".
Krasniqi tha se projektbuxheti i vitit 2015, në tërësinë e tij është i orientuar vetëm në mbulimin e shpenzimeve të domosdoshme dhe të luksit për institucionet dhe agjencionet shtetërore, konstatim ky që, siç tha ai, del nga vet fakti i indikatorëve të projektbuxhetit të vitit 2015, ku tregohet se 71 për qind e tërësisë së buxhetit i dedikohet shpenzimeve rrjedhëse të institucioneve. Prandaj, sipas Krasniqit, është e është vështirë që ky buxhet të quhet buxhet i qytetarëve të Kosovës.
"Projektligjit vazhdon t'i mungojë transparenca, sepse është i paraqitur në pozicione shumë të përgjithësuara, siç janë: pagat, mallrat dhe shërbimet, shpenzimet komunale, subvencionet, transferet, shpenzimet kapitale dhe rezerva. Kjo paraqitje e sintetizuar lë hapësirë për spekulime prej më të ndryshmëve", theksoi Krasniqi. Në fjalën e tij, deputeti Krasniqi ngriti edhe shqetësimin lidhur me largimet e fundit të qytetarëve nga Kosova.
Në emër të Grupit 6 plus, deputeti Fikrim Damka, u ndal në segmente të caktuara përmbajtësore projektligjit, duke u fokusuar në nevojën e përkrahjes për biznesin privat. Damka foli edhe për fushën e shëndetësisë, duke shfaqur shpresën se hyrja në fuqi e skemës së sigurimeve shëndetësore do të ndikojë pozitivisht në gjendjen e rëndë me të cilën përballet ky sektor.
Në shqyrtimin e sotëm të projektligjit për buxhetin, folën edhe deputetët: Ramush Haradinaj, Muhamet Mustafa, Albin Kurti, Shpejtim Bulliqi, Duda Balje, Zenun Pajaziti, Valdete Bajrami, Margarita Kadriu, Arben Gashi, Fatmir Limaj, Time Kadriaj, Emilia Rexhepi, Alma Lama, Blerim Shala, Albulena Haxhiu, Vjosa Osmani, Naim Fetahu, Besa Gaxherri, Pal Lekaj, Shukrie Bytyçi, Visar Ymeri, Njomza Emini, Zafir Berisha, Shqipe Pantina, Daut Haradinaj, Puhie Demaku, Armend Zemaj, Kujtim Paçaku, Shaip Muja, Ismail Kurteshi, Bali Muharremaj, Haxhi Shala, Anton Quni, Besa Baftija, Teuta Haxhiu, Qerim Bajrami, Nuredin Ibishi, Sali Saliu, Danush Ademi, Veton Berisha, Aida Dërguti, Lahi Brahimaj, Blerim Grainca, Rexhep Selimi, Ilir Deda, Mytaher Haskuka dhe Fisnik Ismaili.
Gjatë diskutimeve, ata elaboruan gjerësisht përmbajtjen e projektligjit, duke e vlerësuar pozitivisht atë, por edhe duke dhënë kritika, vërejtje e propozime për ndryshimin e tij gjatë fazës së amendamentimit.
Nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, u ndal në buxhetin e ndarë për Prishtinën, duke e konsideruar kryeqytetin të diskriminuar në aspektin buxhetor. Ai tha se buxheti i ndarë për Prishtinën është 13 milionë euro më pak se ai që është miratuar në Kuvendin Komunal. Kufijtë buxhetorë të përcaktuar për Komunën e Prishtinës, sipas tij, janë të pafavorshëm dhe shkojnë në dëm të zhvillimit të kësaj komune. Ai kërkoi që Kuvendi, përmes komisionit përkatës të tij dhe bashkëpunim me komunën, të gjejë mënyra që kufijtë buxhetorë për Prishtinën të rriten.
Pas diskutimeve, ministri i Financave, Abdullah Hoti dha sqarime në vërejtjet dhe kritikat e deputetëve. "Ky është buxhet i mundësive që i ka Kosova", theksoi ndër të tjera ministri Hoti.
Pas shterjes së debatit, Kuvendi miratoi Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015 dhe ngarkoi komisionin përkatës parlamentar që ta shqyrtojë dhe amendamentojë atë brenda afatit të përcaktuar.
Sipas propozimit të Kryesisë dhe vendimit të sotëm të Kuvendit, shqyrtimi i dytë i këtij projektligji do të bëhet të hënën e ardhshme, më 29 dhjetor.