Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, takoi kryetarin e Preshevës, Ragmi Mustafa

E Premte, 19.12.2014




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot kryetarin e komunës së Preshevës, z. Ragmi Mustafa.


Në fillim të takimit, z. Mustafa e uroi kryetarin për pozitën e re në krye të legjislativit të Republikës së Kosovës, duke shprehur besim se, gjatë mandatit të tij, do të ketë intensifikim të marrëdhënieve me shqiptarët e Luginës, duke i bërë ato edhe më përmbajtjesore.


Z. Veseli dhe z. Mustafa diskutuan për zhvillimet në vend dhe rajon, për dialogun ndërshtetëror aktual, bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet Kuvendit dhe komunave të Luginës së Preshevës, respektimin e të drejtave të njeriut dhe implementimin e marrëveshjeve ndërshtetërore.


Ishte qëndrim i përbashkët i takimit se duhet të respektohen të drejtat e njeriut, si dhe të integrohen pakicat në institucione, në mënyrë që komunitetet pakicë të jenë vendimmarrës në nivele të ndryshme, të kenë qasje të papenguar në edukim, shëndetësi, zhvillim ekonomik, ruajtjen e identitetit nacional etj., gjithnjë me ligje dhe praktika që përafrojnë vendet e Ballkanit me Bashkimin Evropian.


Kryetari i Kuvendit inkurajoi kryetarin e Preshevës, në veçanti për zhvillimet pozitive në fushën e edukimit, duke theksuar se me përkushtim do të përkrahë marrëveshjet e deritashme të Kuvendit me komunat me shumicë shqiptare të Luginës. Ai më këtë rast ka cekur rëndësinë e dialogut, relaksimin e raporteve shtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e veçmas implementimin e marrëveshjeve ndërshtetërore me qëllim të përmirësimit substancial të jetës së të gjithë qytetarëve.

Bashkëbiseduesit ishin të një mendjeje se ka vend dhe vullnet për përmirësimin e marrëdhënieve në mes të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Luginës së Preshevës, me interes të gjithanshëm.

 

 

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, takoi kryetarin e Preshevës, Ragmi Mustafa