Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 18.12.2014
Në mbledhjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët fillimisht u njoftuan lidhur me certifikimin e deputetëve të rinj, të cilët do të zëvendësojnë ish-deputetët të cilët kanë marrë pozita në kabinetin qeveritar.
Kryekuvendari Veseli sqaroi se me kërkesë të kryetarit të Kuvendit dhe vendim të Presidentes është bërë zëvendësimi e deputetëve të Kuvendit, si në vijim: Nait Hasani, Shaip Muja, Fadil Demaku, Hajdar Beqa, Salihe Mustafa, Murat Hoxha, Agim Kikaj, Bardhyl Meta, Milazim Haliti, Synavere Rysha, Fikrim Damka, Qerim Bajrami. Ndërkaq, Faton Topalli nga Lëvizja Vetëvendosje zëvendëson Dardan Sejdiun.
Me këtë rast deputetët e rinj bënë betimin solemn.
Kryekuvendari Veseli po ashtu njoftoi se deputetja Emilija Rexhepi i është bashkuar grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.
Më tej, Kuvendi procedoi me rendin e ditës sipas vendimit të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës- miratimi i propozim-vendimit për formimin e komisioneve parlamentare.
Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, sqaroi se Kryesia është pajtuar që në këtë seancë të shkohet me dy propozime: fillimisht për 14 komisione, ndërkaq, në rast se ky propozim nuk merr votat e mjaftueshme atëherë procedohet me propozimin e dytë, për 13 komisione.
Pasi përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, paraqitën ndryshimet e propozuara dhe pas një debati të deputeteve lidhur me këtë çështje, propozimi për formimin e 14 komisioneve u hodh në votim.
Me 81 vota për, 28 kundër dhe një abstenim Kuvendi miratoi propozim-vendimin për formimin e 14 komisioneve parlamentare.