Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 18.12.2014
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetëve iu drejtua me fjalimin vjetor presidentja Kosovës, Atifete Jahjaga. Në fillim të mbledhjes, z. Veseli përshëndeti presidenten Jahjaga, kryeministrin Mustafa, deputetët, anëtarët e kabinetit qeveritar, ambasadorët dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtarë. Ai tha se në pajtim me nenin 84 paragrafi 30 të Kushtetutës së Kosovës, presidentja e Kosovës ka kërkuar që t' i drejtohet Kuvendit me një fjalim vjetor përkitazi me fushëveprimtarinë e saj.
Në fjalën e saj presidentja Atifete Jahjaga, pasi përshëndeti kryetarin e Kuvendit, Veseli,kryeministrin Mustafa,kabinetin qeveritar, deputetët,ambasadorët,përfaqësuesit e misioneve diplomatike në Kosovë dhe qytetarët e Kosovës, theksoi se ka kënaqësinë për të folur për të arriturat dhe sfidat që kaloi shoqëria dhe shteti i Kosovës gjatë këtij viti që po e lëmë pas, jo thjesht për të përmbushur një obligim kushtetues, por e bindur më shumë se kurrë se demokracia jonë e brishtë do të forcohet vetëm me anë të besimit të fortë në institucionet që janë të mandatuara për të qeverisur me Kosovën; nëpërmjet përgjegjësisë dhe respektimit të plotë të mandateve kushtetuese të institucioneve, përfshirë edhe autonominë e tyre; të frymëzuar edhe nga aspirata e përfshirë në Kushtetutë, për të krijuar një vend të qytetarëve të barabartë, me mundësi të barabarta për të sendërtuar potencialin e tyre dhe për të arritur mirëqenien në Republikën e Kosovës, si dhe me përkushtimin e sinqertë ndaj vlerave që janë vënë në themelet e shtetit tonë, të atdhedashurisë në rend të parë, pa të cilën nuk do të arrihej përmbyllja e shtetformimit tonë.
Në vijim ajo tha se zhvillimet politike të gjysmës së fundit të këtij viti kanë dëshmuar se ende mbesim larg realizimit të këtij vizioni për shtetin tonë dhe larg realizimit të synimeve të përbashkëta. Duke folur për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat u mbajtën në qershor, ajo tha se qytetarët e Republikës së Kosovës treguan shkallë të lartë të pjekurisë.
"Qytetarët iu përgjigjën ftesës për të kryer me përgjegjësi obligimin qytetar, për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në këtë Kuvend dhe për të na e besuar vendimmarrjen në emrin e tyre. Qytetarët e Kosovës, me maturinë e tyre, zhvilluan një proces të mirë zgjedhor, pa incidente dhe për herë të parë me gjithëpërfshirje etnike në tërë territorin e Kosovës, duke i dhënë besimin një procesi demokratik dhe duke e përforcuar bindjen e tyre se nëpërmjet votës i besojnë ndërtimit të një shteti, i cili i merr parasysh nevojat dhe dëshirat e tyre, për një udhëheqje që e sheh përfaqësimin dhe qeverisjen si përgjegjësi" pohoi ajo.
U humb kohë e çmuar për të shtyrë përpara reformat
Ndërkaq, në vijim presidentja tha:"Në periudhën gjashtëmujore, e cila e përcolli këtë proces demokratik, ne zbuluam të metat e demokracisë sonë të re, sikur që identifikuam paqartësitë dhe mangësitë e një Kushtetute të aprovuar, por të paprovuar në jetën tonë politike ...Humbëm shumë kohë të çmuar për t'i shtyrë përpara reformat aq të domosdoshme, që do ta bëjnë Kosovën shtet të sundimit të ligjit dhe vend të prosperitetit...Këta gjashtë muaj, përpos që vumë në sprovë institucionet dhe Kushtetutën e Kosovës, këtë dokument bazë që i vë themelet e shtetit tonë dhe vlerat mbi të cilat i ndërtojmë këto themele, ne testuam rëndë edhe durimin e qytetarëve. I sollëm ata pranë apatisë, që e sfidoi rëndë vullnetin tonë të përbashkët për t'u mobilizuar dhe për t'ia dhënë shtytjen e fundit konsolidimit të Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, këtë ëndërr për të cilën aq shumë sakrifikuam", theksoi ajo.
Politika duhet të jetë lehtësuese e zhvillimit dhe jo pengesë e tij
Duke folur për pasojat e krizës gjashtëmujore, të cilat u bënë të prekshme për të gjithë, ajo shprehu besimin se nga kjo pikë e errët e historisë më të re të Kosovës, vendi ynë doli më i ndërgjegjësuar për pasojat e mëdha të veprimeve, të cilat padrejtësisht bien mbi qytetarin e Republikës së Kosovës. Ndërkaq, duke folur për sfidat e mëtejme, ajo në vijim tha se pa humbur kohë, duhet të përmbushen obligimet tona, sepse vetëm atëherë do të shtyhet përpara vizioni dhe agjenda e vetme që sot na bashkon të gjithëve - atë të krijimit të shtetit të qëndrueshëm dhe funksional për integrime euroatlantike.
Në vijim z. Jahjaga foli për vështirësitë me të cilat po ballafaqohen të rinjtë e papunë. "Skenat e të rinjve të drejtuar kah adresat fiktive dhe të paqena të shpëtimit duhet të na e trazojnë shpirtin, të na lënë pa gjumë. Është përgjegjësi jona të përballemi dhe të kërkojmë zgjidhje për nevojat e qytetarëve tanë. Ne bartim përgjegjësi për ëndrrat e parealizuara dhe zhgënjimin e qytetarëve me shtetin e Kosovës", theksoi z. Jahjaga. Politika duhet të jetë lehtësuese e zhvillimit dhe jo pengesë e tij. Problemi i papunësisë zgjidhet me përkushtim serioz në të gjitha nivelet", tha ajo.
Presidentja pastaj foli për 52 rekomandimet e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, rrezikun që përbën ekstremizmi i dhunshëm për sigurinë e Kosovës, reformat e thella, prokurimin publik jotransparent etj,duke theksuar se në këtë shtet të përbashkët, zgjidhjet do të jenë të përbashkëta, pa imponime dhe pa shtrëngim, zgjidhje që ruajnë rendin kushtetues dhe parimin e gjithëpërfshirjes. Ndërkaq, duke folur për krijimin e Gjykatës Speciale tha se ajo reflekton përcaktimin tonë për një proces të pavarur dhe të paanshëm.
Duke përfunduar fjalën e saj presidentja Jahjaga tha:"Në themelin e shtetit tonë e kemi një histori shumë domethënëse të bërjes së shtetit - kemi sakrificën individuale dhe kolektive për jetë më të mirë. Asnjë episod i kësaj shtetbërjeje nuk na lejon as më të voglin dyshim se ne nuk mund t'ia dalim. Mjafton të shikojmë për një çast Majlindën, e cila sot qëndron si një epitomë e pakontestuar e rrugëtimit tonë. Deri dje ajo e kishte të paqartë garën në lojëra olimpike, ndërsa që nga sot në Rio, ajo e ka pothuajse të garantuar medaljen e artë", tha presidentja Jahjaga.
Kryekuvendari Kadri Veseli falënderoi z. Jahjaga për mbajtjen e fjalimit vjetor.