Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Mërkure, 17.12.2014
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, do t'u adresohet nesër në orën 10:00 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës me fjalimin e saj vjetor, ndërkaq në orën 13:00, Kuvendi do të mblidhet serish në seancë plenare, në të cilën do të procedohet me formimin e komisioneve parlamentare.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga Kadri Veseli, kryetar.
Kryesia u pajtua që sipas vendimit të mbledhjes së kaluar të saj, në seancë të shkohet me dy propozime: fillimisht me 14 komisione, ndërsa në rast se ky propozim nuk merr votat e mjaftueshme, të procedohet me propozimin e dytë, me 13 komisione.
Në këtë mbledhje, kryetari Veseli i njoftoi nënkryetarët dhe kryetarët e grupeve parlamentare se është bërë certifikimi i deputetëve të rinj, të cilët do të zëvendësojnë ish-deputetët që kanë marrë pozita në kabinetin qeveritar.