Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi kryetarin e Shoqatës së Malaziasve në Kosovë, z. Vujiçiq
E Mërkure, 17.12.2014
Kyetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot ka takuar kryetarin e Shoqatës së Malaziasve të Kosovës, z. Slobodan Vujiçiq.
Në fillim të takimit z. Vujiçiq e uroi kryetarin e Kuvendit, z. Veseli për postin e ri, duke i uruar sukses dhe realizimin e agjendave të Kuvendit të Kosovës në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, si dhe shprehu sigurinë se ai, si mik i popullit malazias, do t'i kontribuojë proceseve integruese dhe stabilitetit rajonal.
Kryetari i Kuvendit e falënderoi z. Vujiçiq për angazhimin e tij, për kultivimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet popujve të rajonit. Ai ka vënë në pah se në këtë mes, komuniteti shqiptar në Mal të Zi dhe ai malazias në Kosovë, duke u ndjerë të lirë dhe të barabartë, mund të jenë faktorë shtesë të miqësisë dhe stabilitetit.
Në takim u theksuan çështjet që kanë të bëjnë me jetën malaziasve në Republikën e Kosovës, integrimin e tyre në institucione, punësim, subvencionet për medie, në bujqësi, si dhe avancimin në përgjithësi të gjendjes së minoriteteve në të dyja vendet respektive. Bashkëbiseduesit u pajtuan që bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve mund të thellohet dhe zgjerohet në dobi të ndërsjellë dhe interesin e përbashkët të qytetarëve.