Lajmet e fundit
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, takoi kreun e Misionit të OSBE-së në Kosovë, z. Schlumberger
E Mërkure, 17.12.2014
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot kreun e misionit të OSBE-së në Kosovë, z. Jean-Claude Schlumberger. Në fillim të takimit z. Schlumberger shprehu urimet e sinqerta për emërimin e z. Veseli në postin e ri. Kryetari i Kuvendit, ndërkaq, e falënderoi shefin e Misionit për kontributin e kësaj organizate në demokratizimin e vendit, mbështetjen e agjencive të pavarura, OJQ-të dhe Kuvendin e Kosovës.
Veseli dhe Schlumberger diskutuan për zhvillimet e fundit në Kuvend, për agjendën legjislative, si dhe prioritetet, duke theksuar nevojën që të vazhdojnë raportet e deritashme, të shkëlqyera, ndërmjet Kuvendit dhe Misionit të OSBE-së.
Z. Schlumberger ka theksuar se Misioni i OSBE-së do të jetë i përkushtuar për vazhdimin e projekteve të deritashme për organizatat e pavarura dhe agjencitë, administratën e Kuvendit, për komisionet e Kuvendit, reformën zgjedhore, si dhe bashkëpunimin rajonal.
Z. Veseli theksoi se realizimi i agjendës legjislative do të zhvillohet me transparencë, debat demokratik dhe përfaqësim të interesit të të gjithë qytetarëve, duke ofruar përkrahje për punën e Misionit të OSBE-së në Kosovë. Në fund, bashkëbiseduesit u pajtuan që bashkëpunimi i ndërsjellë të vijojë në interesin e dyanshëm.