Lajmet e fundit

Kryetari Veseli takoi ambasadorin e Republikës së Sllovenisë, z. Majhen

E Mërkure, 17.12.2014




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, z. Miljan Majhen. Pas urimit për kryetarin e Kuvendit në postin e ri, bashkëbiseduesit diskutuan për raportet e deritashme të shkëlqyera në mes dy vendeve, duke rikonfirmuar se këto marrëdhënie mund të zgjerohen dhe thellohen me interes të përbashkët.


Z. Veseli e falënderoi ambasadorin Majhen për kontributin e deritashëm të Republikës së Sllovenisë, në veçanti për investimet për zhvillim ekonomik, kur dihet se për shumë vite, Republika e Sllovenisë printe me investime në vendin tonë, me kompanitë tashmë të njohura për qytetarët e Republikës së Kosovës.


Kryetari dhe ambasadori diskutuan edhe për zhvillimet aktuale në Kuvend, duke u fokusuar në prioritetet e kësaj legjislature, siç janë marrëdhëniet fqinjësore dhe rajonale, me theks në thellimin e bashkëpunimit dhe bashkëjetesës fqinjësore. Sllovenia, sipas ambasadorit Majhen, mbështet plotësisht normalizimin e marrëdhënieve në rajon.


Përvoja e Sllovenisë dhe mbështetja e saj në proceset integruese kanë rëndësi të madhe për qytetarët e Kosovës, andaj mirëpritet thellimi i bashkëpunimit të mëtejmë që këto procese të përshpejtohen, në veçanti në fushat që kanë të bëjnë me rritjen e mirëqenies ekonomike dhe investimet e përbashkëta për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në prodhimtari, në bujqësi etj.


Bashkëbiseduesit ishin të një mendjeje sa ai përket nevojës së thellimit të bashkëpunimit në fushën e legjislativit Kosovë-Slloveni. Në këtë frymë, u tha se Kosova është vend tërheqës për investime dhe me kushte të mira për to, por duhet që potenciali investues të njihet me situatën, kapacitetet dhe nevojat që ka Kosova.

 

 

Kryetari Veseli takoi ambasadorin e Republikës së Sllovenisë, z. Majhen