Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Marte, 16.12.2014




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga Kadri Veseli, kryetar, diskutoi edhe njëherë për formimin e komisioneve parlamentare.

Anëtarë të Kryesisë dhe përfaqësues të grupeve parlamentare shfaqën qëndrimet e tyre lidhur me numrin dhe mënyrën e ndarjes së komisioneve, duke shtjelluar mundësitë e gjetjes së një konsensusi.

Përfaqësues të partive opozitare kërkuan që të ndryshohet çelësi i ndarjes së komisioneve, në mënyrë që, sipas tyre, opozitës t'i jepet më tepër hapësirë në kryesimin e komisioneve të rëndësishme. Përfaqësues të partive në pushtet, ndërkaq, theksuan se nuk mund të shmanget formula e deritashme e ndarjes së komisioneve, e cila, sipas tyre, i jep hapësirë të mjaftueshme opozitës, përfshirë edhe të drejtën ligjore për udhëheqjen e dy komisioneve mbikëqyrëse.

Në mungesë të konsensusit dhe në mënyrë që të zhbllokohet procesi i formimit të komisioneve, u vendos që në seancë të shkohet me dy propozime: fillimisht të procedohet sipas propozim-vendimit të mbledhjes së kaluar të Kryesisë, me 14 komisione, ndërsa në rast se ky propozim nuk merr votat e mjaftueshme prej 2/3, të procedohet me propozimin e dytë, me 13 komisione.

Kryesia konfirmoi seancën për ditën e enjte në orën 10:00, në të cilën deputetëve do t'u adresohet presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me fjalimin e saj vjetor.

 

 

Nga mbledhja e Kryesisë së KuvenditNga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit