Lajmet e fundit
Kryekuvendari Veseli priti ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Minxhozi
E Marte, 16.12.2014
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi. Ambasadori Minxhozi e uroi kryeparlamentarin për detyrën e re, duke shprehur besimin se puna e Kuvendit do të vijojë intensivisht me agjendat integruese evropiane dhe begatimin e bashkëpunimit mes dy kuvendeve. Ai më pas theksoi se prioritet i prioriteteve të institucioneve të Shqipërisë është Kosova. Kështu edhe do të vijojë, theksoi ai.
Ambasadori Minxhozi ia transmetoi kryetarit Veseli edhe përshëndetjet më të sinqerta të kryekuvendarit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, duke shprehur bindjen që në kohën më të shpejtë të bëhen vizita reciproke, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit.
Z. Veseli pasi e falënderoi ambasadorin Minxhozi për angazhimet e tij, përshkroi prioritetet e legjislativit dhe zhvillimet aktuale në Kuvend, duke e siguruar ambasadorin se bashkëpunimi mes dy kuvendeve do të thellohet edhe më. Ai, po ashtu, i premtoi ambasadorit se vizitën e parë, me kënaqësinë më të madhe do ta zhvillojë në Shqipëri. Në vijim, z. Veseli tha:"Bashkëpunimi ndërmjet dy kuvendeve dhe institucioneve të tjera, në veçanti ato që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe këmbimin e dyanshëm, duhet të arrijë nivele më të larta. Për këtë jam i bindur, sepse kemi mundësi dhe ka vend për progres. Në këto rrjedha duhet të ketë më shumë pragmatizëm", theksoi kryetari Veseli.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi në fushën e legjislativit dhe agjendat ekonomike do të kenë prioritet.