Lajmet e fundit

Kryekuvendarit Veseli vazhdojnë t’ i arrijnë telegrame urimi me rastin e zgjedhjes kryetar i Kuvendit të Kosovës

E Hënë, 15.12.2014




Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, vazhdojnë t' i arrijnë telegrame urimi me rastin e zgjedhjes së tij kryetar i Kuvendit. Në telegramin e urimit të ambasadorit Jean - Claude Schlumberger, kryesues i Misionit të OSBE-së në Kosovë, pasi shprehen përgëzimet për zgjedhje, theksohet se OSBE-ja dhe Kuvendi i Kosovës kanë arritur shumë në themelimin dhe konsolidimin e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura që promovojnë shoqëri pluraliste dhe shumë etnike.

"Me kënaqësi pres që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë për fuqizimin e mëtejmë të demokracisë së qëndrueshme, llogaridhënëse dhe përgjegjëse në Kosovë, që i përgjigjet të drejtave dhe nevojave të të gjitha komuniteteve", theksohet ndër të tjera në këtë telegram.

Në telegramin e z. Ragmi Mustafa , kryetar i PDSH-ës dhe i Komunës së Preshevës, në fillim theksohet: "Më lejoni që në emrin tim dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare t' ju shpreh urimet më të përzemërta e vëllazërore me rastin e zgjedhjes tuaj, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës". Në vijim të telegramit shprehet mirënjohja për ndihmën e institucioneve shtetërore të Kosovës që kanë dhënë për Luginën e Preshevës, duke uruar njëkohësisht bashkëpunim edhe më të thellë në të ardhmen.

Ziadin Sela, kryetar i Komunës së Strugës, në telegramin e tij uron ndër të tjera kryekuvendarin Veseli me këto fjalë: "Emërimi juaj si kryetar i Parlamentit të Republikës së Kosovës, së bashku me formimin e Qeverisë së re shënon një moment kyç për ju dhe gjithë Kosovën....Uroj që të realizoni të gjitha vizionet tuaja", theksohet në telegramin e z. Sela, duke shprehur njëkohësisht besimin se Komuna e Strugës në vazhdimësi do të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës.

Kryekuvendari Veseli ka marrë edhe një telegram urimi nga kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Naim Ismajli, i cili duke uruar kryekuvendarin thotë: "Shpresoj dhe jam i bindur së nën udhëheqjen tuaj Kuvendi i Republikës së Kosovës do të jetë i hapur dhe bashkëpunues me autoritetet lokale, me qëllim që komunat tona të ushtrojnë sa më shumë kompetenca për të ofruar shërbime sa më të mira për qytetarët e tyre". Ai shpreh besimin se ky asociacion është i gatshëm për të bashkëpunuar me institucionet qendrore për të mirën publike dhe të qytetarëve.

Telegram urimi kryekuvandarit Vesili i ka dërguar edhe kryetari i Forcës së Re dhe Shoqatës së Malazezve të Kosovës, Sllobodan M. Vujiçiq. Në këtë telegram, në kuadër të urimeve të përzemërta, shfaqet bindja se në saje të kontributit të z. Veseli do të thellohen edhe më fuqishëm marrëdhëniet shumë të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

 

 

 

 

Kryekuvendarit Veseli vazhdojnë t’ i arrijnë telegrame urimi me rastin e zgjedhjes kryetar i Kuvendit të Kosovës