Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Hënë, 15.12.2014
Në mbledhjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryekuvendari Kadri Veseli, u shqyrtuan propozim-vendimet për formimin e komisioneve parlamentare.
Me këtë rast kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, sqaroi se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, është vendosur që gjatë kësaj legjislature të jenë 14 komisione parlamentare, prej tyre katër komisione të përhershme dhe 10 komisione funksionale.
Tutje, u sqarua se në Komisionin për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, janë propozuar dy anëtarë më shumë, ndërkaq u tha se duhet të tërhiqet një anëtar nga komuniteti shumicë dhe një anëtar nga komuniteti RAE. Megjithatë, kjo çështje ngjalli debat nga deputetë të Kuvendit.
Deputetë nga radhët e opozitës shfaqën pakënaqësi për mënyrën e ndarjes së komisioneve. Visar Ymeri (VV), Donika Kadaj (AAK), Valdete Bajrami (Nisma) shprehën mospajtimet e grupeve parlamentare të cilat i përfaqësojnë lidhur me formimin e komisioneve parlamentare.
Ismet Beqiri (LDK) kërkoi që në Komisionin për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim të mbetet anëtari i propozuar-përfaqësuesi i komunitetit egjiptian, meqë sipas tij është hera e parë që përfaqësohet ky komunitet. Ndërkaq, Adem Grabovci (PDK) sqaroi se nga ky komision tërhiqet deputetja Blerta Deliu.
Më tej, u kërkua që lidhur me Komisionin për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim të gjendet një kompromis mes komunitetit pakicë, të cilët janë propozuar për anëtarë të këtij komisioni.
Deputetët Blerta Deliu-Kodra, Kujtim Paqaku dhe Danush Ademi, sqaruan faktin se tërhiqen nga propozimi për anëtar të disa komisioneve.
Kryekuvendari Veseli sqaroi para deputetëve të Kuvendit procesin e vendimmarrjes. "Në bazë të nenit 81, paragrafi 3, i Rregullores së Kuvendit, ndryshimi i rregullores së kuvendit, miratohet me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Miratimi për formimin e katër komisioneve dhe 10 komisioneve funksionale nënkupton edhe ndryshimin e nenit 69, paragrafi 3 dhe 4, të Rregullores së Kuvendit me të cilin nen janë caktuar katër komisione të përhershme dhe 12 komisione funksionale", theksoi kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.
Pas debatit, më 58 vota për dhe 32 kundër, Kuvendi nuk miratoi propozim-vendimet për formimin e komisioneve parlamentare.