Lajmet e fundit
Kryekuvendari Veseli priti zonjën Lunaçek
E Marte, 09.12.2014
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në një takim, nënkryetaren e Parlamentit Evropian, znj. Ulrike Lunaçek. Me këtë rast, zonja Lunaçek e përgëzoi z. Veseli për detyrën e re të kryetarit të Kuvendit të zgjedhur nga shumica e organit më të lartë legjislativ të Kosovës, duke theksuar nevojën e angazhimeve të shtuara legjislative.
Në fjalën e tij kryekuvendari Kadri Veseli, në fillim, ia uroi zonjës Lunaçek detyrën e re të nënkryetares së Parlamentit Evropian. "Ju e keni merituar këtë detyrë me punën dhe angazhimin tuaj të veçantë në përkrahjen e vendeve ballkanike, e në këtë kuadër edhe të Kosovës. Qytetarët e Kosovës presin shumë nga institucionet e reja të vendit, prandaj kemi nevojë për punë të shtuar në sasi dhe cilësi", theksoi z. Kadri Veseli.
Në vijim, Veseli theksoi se puna e tij si kryetar i Kuvendit do të jetë angazhim i vetëm i tij, gjithnjë i gatshëm të kontribuojë për të gjithë qytetarët, pa dallim partiak brenda dhe jashtë Parlamentit.
Bashkëbiseduesit ishin unik në konstatimin për nevojën e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Parlamentit të Kosovës.