Lajmet e fundit
Gratë deputete pritën sot nënkryetaren e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek
E Marte, 09.12.2014
Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës ka pritur sot në një takim, znj. Ulrike Lunaçek, nënkryetare e Parlamentit Evropian. Temë diskutimi i këtij takimi ishte pozita dhe roli i gruas në Kosovë, me theks të veçantë përfaqësimi i saj në politikë.
Me këtë rast, u theksua se ka mungesë të vullnetit politik nga lidershipi për të krijuar mundësitë që gratë të marrin role udhëheqëse. Ndërkaq, u përmend edhe çështja e nënkryetarëve të Kuvendit. Me këtë rast u tha se asnjëherë Kuvendi nuk ka pasur në këtë pozitë deputete.
Kryetarja e deritashme e GGD-së, Teuta Sahatqija, mes tjerash foli për përfaqësimin e grave deputete edhe në komisionet parlamentare, duke kërkuar që të ketë barazi gjinore edhe në udhëheqjen e komisioneve.
Duke u përgjigjur në interesimin e nënkryetares së Parlamentit Evropian, Sahatqija tha se qeveria e re ka shumë punë për të bërë në zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, politikat e jashtme dhe shumë çështje tjera, ndërsa shpalosi shqetësime të shumta sa i përket çështjes së barazisë gjinore.
Deputetja Flora Brovina, sqaroi fillimisht se GGD-së i ka kaluar mandati dhe se pritet të zgjedhet bordi i ri. Ndërkaq, ajo shfaqi mjaft pakënaqësi sa i përket pozitës së gruas në partitë politike.
"Ne si GGD jemi formuar për të ndikuar në demokratizimin e partive politike të cilat janë të udhëhequra nga meshkujt dhe zëri i gruas ka ndikuar mjaft për ndryshimet që janë bërë në këtë mandat gjatë fushatës zgjedhore", tha Brovina.
Deputetja Albulena Haxhiu, fillimisht foli për kuotën gjinore, duke theksuar faktin se në mandatin e parë ajo ka hyrë me kuotë gjinore, ndërkaq në mandatin e dytë, ajo është zgjedhur deputete pa kuotë gjinore. Megjithatë, Haxhiu, duke përmendur mentalitetin që ekziston në vend, tha se kuota gjinore duhet të ekzistojë edhe një kohë. Më tej, ajo përmendi si një të arritur gjatë legjislaturës së kaluar përfshirjen e grave të dhunuara gjatë luftës në Ligjin për veteranët e UÇK-së.
Tutje, foli edhe deputetja Donika Kadaj. Ajo kritikoi çështjen e përfaqësimit të gruas në pozita udhëheqëse duke theksuar se problemet e vjetra po barten nga njëri vit në tjetrin. "Kuvendi dhe Kryesia e Kuvendit është pjesa më e dhimbshme e cila nuk po tregon gatishmëri të ecë përpara, por po vazhdon me çasjen e njejtë kundër grave dhe kundër përfshirjes së grave edhe pse kemi pasur kornizë ligjore ta tejkalojmë këtë", tha Kadaj.
Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, znj. Ulrike Lunaçek, gjatë këtij takimi foli për punën e Komisionit të grave në Parlamentin Evropian. Ajo tha se edhe nëpër komisione parlamentare në Kuvendin e Kosovës, është e domosdoshme që të ketë barazi gjinore në udhëheqjen e komisioneve dhe duke iu referuar disa çështjeve që u përmendën nga GGD-ja tha se kuotat vazhdojnë të jenë po ashtu të domosdoshme.
"Ju dëshiroj fat për ndryshimet në Parlament, në mënyrë që gjërat të jenë në rregull për femrat, megjithatë gjërat kanë ecur përpara dhe vërehen përmirësime, por kjo nuk duhet t'ju mjaftoj", tha znj. Ulrike Lunaçek.