Lajmet e fundit

Mbledhja e parë e Kuvendit

E Hënë, 08.12.2014




Pas konstituimit të Kuvendit, po sot, deputetët e Legjislaturës së Pestë, në një mbledhje të jashtëzakonshme janë mbledhur për të zgjedhur Qeverinë e re të Kosovës. Mbledhja është kryesuar nga kryetari i kësaj legjislature, Kadri Veseli, ndërkaq, është përcjellë nga ambasadorë të shumtë të akredituar në Republikën e Kosovës, komandanti i KFOR-it, si dhe Ulrike Lunacek, raportuese e posaçme për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Në fillim të mbledhjes, për ta nominuar Isa Mustafën për kryeministër të Qeverisë së re, fjalën e mori kryeministri i deritashëm i Qeverisë së Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai tha se qeveria e ardhshme është rezultat i një procesi demokratik zgjedhor, ndërsa, buron nga marrëveshja e arritur në mes të dy partive politike më të mëdha në Kosovë.

I nominuari për formimin e Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, ndërkaq, para deputetëve shpalosi pjesë të programit, si dhe agjendën qeverisëse për katër vjeçarin e ardhshëm të kabinetit të ri. Ai vuri në pah angazhimin e kabinetit të ardhshëm në zhvillimin ekonomik të vendit, luftën kundër korrupsionit, reformat shëndetësore, si dhe reformat në gjyqësorin e Kosovës. Po ashtu, ai foli edhe për forcimin e sektorit privat. Në vijim, ai shtoi: "Filozofia vepruese e Qeverisë, do të jetë liria e të vepruarit sipas praktikave më të zhvilluara evropiane". I nominuari për kryeministër po ashtu është zotuar se qeveria nën udhëheqjen e tij, do të ketë në konsideratë vizionin e popullit të Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO. Ndërkaq, në përmbyllje të fjalës së tij, ai u shpreh: "Do të punojmë shumë që të shfrytëzojmë të gjitha resurset e këtij vendi, të ndërtojmë partneritet me institucionet financiare ndërkombëtare dhe me qeveritë e vendeve mike për ta mbështetur zhvillimin ekonomik dhe për ta ngritur cilësinë e jetës së qytetarëve. Në fokus të qeverisjes sonë do të jetë qytetari, atij to t'i japim llogari përmes jush dhe drejtpërsëdrejti".

Pas ekspozeut të paraqitur nga z. Mustafa, fjalën e morën përfaqësuesit e grupeve parlamentare.

Në emër të Grupit Parlamenatr të PDK-së, foli deputeti, Adem Grabovci, ndërsa në emër të Grupit Parlamenatr të LDK-së, Ismet Beqiri. Ata u pajtuan me ekspozeun e paraqitur nga i nominuari dhe po ashtu deklaruan mbështetjen nga grupet që përfaqësonin.
Në emër të Grupit Parlamenatr të VV-së, fjalën e mori deputeti, Glauk Konjufca. Ai e vlerësoi të dëmshëm koalicionin në mes të dy partive, (PDK-LDK), ndërsa fajësoi të nominuarin Mustafa për dështimin e marrëveshjes me partitë e tjera. Sipas tij, dështimi i marrëveshjes me partitë: LDK-AAK-NISMA dhe VV, i ka dhënë mundësi një koalicioni i cili nuk do t'i sjellë të mira vendit.

Përfaqësuesja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi, ndërkaq, vlerësoi se Qeveria e re do ta izolojë edhe më shumë vendin.

Në emër të NISMA-s, foli dr. Jakup Krasniqi. Ai është shprehur skeptik në sukseset e Qeverisë së ardhshme, për shkak se sipas tij, koalicioni është ndërtuar për nevojat e akomodimit të individëve, si dhe formimin e Gjykatës Speciale.

Në emër të Grupit Parlamentar 6+, foli deputeti, Mahir Yagcilar, i cili e përkrahu ekspozeun e paraqitur nga i nominuari për kryeministër.

Pas kësaj, kreu i legjislativit, Veseli, hapi debatin, në të cilin u angazhuan deputetët kryesisht nga radhët e partive që nuk mbështetin koalicionin PDK-LDK. Me këtë rast fjalën e morën: Ramush Haradinaj, Ilir Dedaj, Pal Lekaj, Visar Ymeri, Melihate Trëmkolli, Shqipe Pantina, Fatmir Limaj, Time Kadriu, Gzim Kelmendi, Teuta Haxhiu, Zafir Berisha, Rexhep Selimi, Puhie Demaku, Rrustem Berisha, Mytaher Haskukaj, Ismail Kurteshi, Besnik Bislimi, Albin Kurti e të tjerë.

Deputetët që u paraqitën në foltoren e Kuvendit me këtë rast, ngritën dyshime në suksesin e Qeverisë. Ata paraprakisht e quajtën të dështuar atë, duke e konsideruar si koalicion të panatyrshëm dhe vazhdimësi të qeverisjes së deritashme. Po ashtu, diskutuesit vlerësuan se me këtë koalicion do të jetë i pamundur integrimi i Kosovës në BE dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtar.

Akuzave të parafolësve u është kundërpërgjigjur lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, i cili tha se koalicioni PDK-LDK është koalicion i vullnetit të lirë, në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe në përputhshmëri me vullnetin e popullit.

Pas një pauze, me propozim të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dh atij të LDK-së, Ismet Beqiri, votimi për Qeverinë e re është shtyrë për nesër.

Vazhdimi i kësaj mbledhjeje fillon nesër nga ora në ora 12:00.

 

Mbledhja e parë e Kuvendit Mbledhja e parë e Kuvendit Mbledhja e parë e Kuvendit