Lajmet e fundit

Përfundoi mbledhja konstituive e Kuvendit

E Hënë, 08.12.2014




Kuvendi i Kosovës ka përfunduar sot mbledhjen konstituive të Legjislaturës së V, e dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit, të filluar më 17 korrik të këtij viti.
Kryesuesja e kësaj seance, Flora Brovina , si deputetja më e vjetër e kësaj legjislature, e ndihmuar nga Teuta Rugova, deputetja më e re e kësaj përbërje, pasi i ka përshëndetur mysafirët e lartë dhe të shumtë në këtë seancë, ka përkujtuar se vazhdimi i seancës mbahet konform Kushtetutes së Kosovës, Rregullores së Kuvendi, si dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese (Nr: KO 119/14 të datës 26 gusht 2014) lidhur me këtë seancë.

Më pastaj është proceduar me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Në emër të Grupit parlamentar të PDK-së, Hajredin Kuçi, për kryetar të Kuvendit nga radhë e subjektit me numrin më të madh të deputetëve e ka propozuar z. Kadi Veseli, duke e paraqitur edhe një biografi të shkurtër të tij e duke e cilësuar si njërin nga themeluesit e UÇK-së, kuadër që ka kryer shumë punë të rëndësishme për Kosovën e me përgatitje solide profesionale.

Me shumicë votash të deputetëve Kadri Veseli është zgjedhur kryetar i Kuvendit ( 71 për 42 kundër dhe 1 abstenim).

Për nënkryetarë, nga radhët e tri subjekteve më të mëdha shqiptare, janë zgjedhur: Xhavit Haliti (PDK), Sabri Hamiti (LDK) dhe Glauk Konjufca ( VV). Për të tre është votuar në pako (98 për, 2 kundër dhe 15 abstenime).

Nga radhët e komunitetit serb nënkryetare është zgjedhur Jasmina Zhivkoviq, kurse nga radhët e komuniteteve të tjera është zgjedhur Duda Balje, Ajo me marrëveshje do ta kryejë këtë detyrëpër 14 muaj, kurse me rotacion do ta pasojnë Myfera Shinik ( gjithashtu me mandat 14 mujor) dhe Danush Ademi dhe Kujtim Paçoku, me nga shtat muaj. (Për nënkryetarët nga radhët e komuniteteve kanë votuar: 75 për, 19 kundër, ndërsa 20 kanë abstenuar).

Kryetparlamentari i sapo zgjedhur, Veseli, në fillim të fjalimit të tij të parë para deputetëve, ka përshëndetur mysafirët e lartë në Kuvend si: ambasadoren e SHBA-ve në Prishtinë Tracey Ann Jcobson, nënkrtyetaren e Parlamentit Evropian Ulrike Lunacek, si dhe ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë. Ai është u zotuar se Kuvendi do të jetë vend i debateve të papenguara dhe i kompromiseve të të gjithë deputetëve, pavarësisht nga etnia dhe përcaktimi politik, si dhe institucion i cili do të miratojë ligje të mira për vendin. Ai me këtë rast ka shprehur konsideratat më të larta për familjet e dëshmorëve, si themelet e lirisë dhe të pavarësisë sonë. " Për të gjithë ne këtu dhe për qytetarët e Kosovës, Adem Jashari, është inspirim dhe sinonim sublimim i vlerave më të dashura çlirimtare. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte kapitulli i fundit, por më i rëndi dhe më rëndësishëm i betejës së popullit tonë për liri dhe shtet", është shprehur Veseli.
Ai ka vënë në pah edhe rezistencën paqësore dhe veprën e presidentit Rugova, që . siç është shprehur, "arriti të mobilizojë të gjitha shtresat e shoqërisë kosovare, me kërkesën për liri dhe pavarësi të vendit tonë".

Një pjesë të fjalimit të tij z.Veseli e ka paraqitur në gjuhën serbe, duke shprehur angazhimin për liri dhe barazi të të gjithë qytetarëve nga bashkësitë e ndryshme etnike në Kosovë, e duke i uruar deputetët për besimin që kanë marrë nga qytetarët. Ai tutje është shprehur se angazhim i tij i përhershëm do të jenë vlerat civilizuese evroatlantike për liri dhe të drejta të qytetarëve, të cilat janë betonuar në Kushtetutën tanë, e që promovohen nga partnerët tanë;: BE dhe SHBA.

Veseli, ndërkaq, është shprehur i bindur se ky Kuvend do t'i themelojë Forcat e Armatosura të Kosovës, si fuqizim i partneritetit me NATO-n. " Të vazhdojmë traditën si një vend tolerant fetar dhe i bashkëjetesës etnike", është shprehur Veseli duke pohuar se atë duhet ruajtur dhe mbrojtur si vlerë kombëtare.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka shprehur zotimin që bashkërisht të punohet në mënyrë që pakicat etnike në Kosovë kurrë të mos ndjehen të rrezikuara në vendin tonë, siç janë ndjerë shqiptarët nën regjimet shtypëse.

"Puna jonë e përbashkët do të pasqyrohet në përkushtimin e secilit prej nesh, që nga dita e nesërme", ka theksuar Veseli. "Me shpresë në zotin dhe dashuri të patundur në vendin tonë, uroj për suksese të përbashkëta ",ka përfunduar kryeparlamentari i Kosovës.

Deputetët nga radhët e opozitës e kanë braktisur seancën para se kreu i ri i Kuvendit ta paraqiste fjalimin e tij promovues në Kuvend.

Vazhdimit të sotëm të seancës i ka paraprirë marrëveshja e koalicionit qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, të cilin e kanë nënshkruar krerët e të dy partive: Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa.

 

Përfundoi mbledhja konstituive e Kuvendit Përfundoi mbledhja konstituive e Kuvendit Përfundoi mbledhja konstituive e Kuvendit