Lajmet e fundit
Sekretari i Kuvendit, Krasniqi, u takua me ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Schlumberger
E Mërkure, 03.12.2014
Në vazhdën e aktiviteteve të zhvilluara në kuadër të seminarit të sekretarëve të përgjithshëm të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur kohë më parë në Kosovë, sot në zyrat e OSBE-së në Prishtinë u zhvillua një takim ndërmjet ambasadorit të këtij misioni në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger dhe sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ismet Krasniqi.
Në takim u bisedua për rezultatet e seminarit dhe gjetjen e mundësive për materializimin e përfundimeve të tij, në funksion të avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve dhe këmbimit të përvojave ndërmjet administratave të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pjesëmarrëse në këtë seminar.
Duke e falënderuar ambasadorin Schlumberger për gjithë mbështetjen që OSBE-ja i ka ofruar dhe vazhdon t'i ofrojë Kuvendit në shumë aspekte, sekretari Krasniqi vlerësoi lart ecurinë dhe rezultatet e seminarit, njëherazi duke shprehur gatishmërinë për të çuar më tej bashkëpunimin ndërmjet administratave të këtyre parlamenteve. Në këtë funksion, sekretari i Krasniqi potencoi angazhimet e administratës së Kuvendit për hartimin e një draft-memorandumi të mirëkuptimit, i cili do t'u ofrohet administratave të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, si bazë për vazhdimin dhe zgjerimin e të mëtejmë të bashkëpunimit.
Ambasadori i Misionit të OSBE-së, Schlumberger, ndërkaq, duke vlerësuar ecurinë e seminarit, tha se nga përvojat e shpalosurave gjatë punimeve të tij, krahas Kuvendit të Kosovës, kanë përfituar edhe pjesëmarrësit e tjerë. Schlumberger tha se misioni që ai udhëheq, brenda mundësive dhe fushëveprimtarisë së tij, do të vazhdojë të jetë në mbështetje të Kuvendit të Kosovës edhe në të ardhmen.