Lajmet e fundit

Në ditën e dytë të seminarit me sekretarët e përgjithshëm të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, u mbajt takim me donatorët që e ndihmojnë punën e Kuvendit

E Marte, 18.11.2014




Në ditën e dytë të seminarit me sekretarët e përgjithshëm të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili u mbajt sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës, është mbajtur takim me donatorët që e ndihmojnë punën e legjislativit të vendit.

Takimin e kryesoi sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili foli për rëndësinë që kanë donatorët me mbështetjen e tyre, në përmbushjen e agjendës së Kuvendit të Republikës së Kosovës në rrugën e integrimeve. Duke vlerësuar lart bashkëpunimin me donatorët, Krasniqi u shpreh i bindur se sukseset e arritura janë rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kuvendit dhe donatorëve. Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Krasniqi, po ashtu u shpreh i bindur se ky bashkëpunim do të vijojë edhe në të ardhmen, ndërsa vlerësoi se sukseset do të jenë edhe më të mëdha me mbështetjen e vazhdueshme edhe të institucioneve ndërkombëtare.

Në vijim folën përfaqësuesit e donatorëve. Në emër të DCAF-it, foli, Lunada Domi, të INDEP-it, Burim Ejupi, Visar Rushiti, në emër të GAP-it, INDP-ja përfaqësohej nga Ervin Ibrahimi, ndërsa në emër të OSBE-së foli, Philip Anawit. Në diskutimet e tyre është vënë në pah se bashkëpunimi me Kuvendin e Kosovës ka qenë në frymën e një bashkëpunimi të sinqertë, ndërsa ata janë zotuar se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ky takimin është përshëndetur edhe nga përfaqësuesi Parlamentit të Malit të Zi, ai i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë si dhe përfaqësuesi i Parlamentit të Hungarisë. Ata u shprehën se seminari i mbajtur gjatë këtyre dy ditëve është një praktikë që duhet ndjekur, ndërkaq vlerësuan lartë punën e Kuvendit të Republikë së Kosovës, sidomos bashkëpunimin me donatorët dhe shoqërinë civile.

Pas kësaj, mysafirët kanë vizituar ambientet e Kuvendit të Kosovës.

 

 

Në ditën e dytë të seminarit me sekretarët e përgjithshëm të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor